Problemet shtohen për Interin në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Stuttgartit në Champions League. Pasiguria në repartin defensiv shoqërohet tashmë edhe me mungesa të rëndësishme në mesfushë. Hakan Calhanoglu do të mungojë për shkak të dëmtimit muskulor të pësuar ndaj Atalantës, ndërsa në dyshim mbetet edhe Piotr Zielinski, i cili vijon stërvitjen e diferencuar për shkak të një problemi në këmbë. Në këto kushte, Stankovic shihet si alternativa kryesore për të marrë rolin e organizatorit për skuadrën e Chivu, përballë gjermanëve.
Por shqetësimi më i madh i Chivut mbetet mbrojtja. Interi po kalon një nga periudhat më të dobëta të dekadës së fundit në aspektin defensiv, pa arritur të gjejë një formacion të qëndrueshëm në qendër të prapavijës. Akanji nuk po bind, Bisseck preferohet në të djathtë, ndërsa Bastoni ndihet më mirë në krahun e majtë. Ndërkohë, John Stones, i afruar pikërisht për të përforcuar këtë repart, vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të problemeve fizike.
Një situatë që ka shtuar shqetësimin në klub dhe që mund të ndikojë drejtpërdrejt në planet e merkatos. Për herë të parë prej kohësh, Interi duket se ka nevojë reale për përforcime në merkaton e janarit, veçanërisht në mbrojtje dhe në mesfushë. Chivu kërkon zgjidhje të menjëhershme, ndërsa drejtuesit zikaltër duhet të vendosin nëse është momenti për të ndërhyrë në tregun e transferimeve. Sipas mediave italiane edhe Presidentit Beppe Marotta duket se më në fund është i bindur se në janar duhet ndërhyrë medoemos për të mbushur boshllëqet e treguara deri në këtë faze të kampionatit e për t’i dhën teknikut rumun një ekip të plotë e të aftë për të luftuar në 3 fronte.
