Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Jan-Christian Dreesen, ka ndryshuar qëndrim lidhur me situatën e Jamal Musialas, pasi deklaratat e tij të mëparshme për gjendjen shëndetësore të mesfushorit gjerman dhe mundësinë e uljes së pagës së tij shkaktuan reagime të ashpra në botën e futbollit, veçanërisht nga FIFPro.

Dreesen tani ka theksuar se klubi duhet t’i japë kohë Musialas për t’u rikuperuar plotësisht dhe për ta rikthyer formën e tij më të mirë.


“Gjithçka që duhej të thuhej për Musialan tashmë është thënë. Tani duhet t’i marrim gjërat me qetësi dhe ta lëmë të luajë. Më erdhi shumë mirë që të premten ishte në fushë, ashtu siç ishte planifikuar. Tani shpresojmë që ai të rikthehet në formën e tij të dikurshme”, deklaroi Dreesen.

Ai pranoi se situata e Musialas ka shkaktuar shqetësim te tifozët, por këmbënguli se futbollisti është pjesë e rëndësishme e familjes së Bayern Munichut.

“Sigurisht që tifozët janë të shqetësuar për këtë situatë, sepse secili prej lojtarëve tanë është njëri prej nesh. Dhe po, kjo është e vërtetë! Jamal është njëri prej nesh!”.

“Pikërisht për këtë arsye po kujdesemi për të. Ishte e qartë se do të kishte reagime. Por, të jem i sinqertë, reagimi i FIFPro-s më befasoi. Kjo sindikatë e futbollistëve madje nuk është e përfaqësuar në Gjermani”, shtoi ai.

Dreesen theksoi se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar sa i përket përgjegjësisë së klubit për rikuperimin e lojtarit, por pranoi se Bayern ka edhe detyrime ndaj vetë klubit.

“Qëndroj prapa qëndrimit tim, është detyra jonë të kujdesemi që Jamalit t’i jepet koha e nevojshme për t’u rikuperuar dhe për t’u kthyer në formën e tij të mëparshme. Në të njëjtën kohë, kemi përgjegjësi edhe ndaj klubit”.

“Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge kanë thënë të njëjtën gjë, ndonëse me thekse të ndryshme. Mendoj se ky është një qëndrim i drejtë”, përfundoi drejtuesi i Bayernit./Telegrafi/