Arrestohet Naser Oriq, dyshohet se ndihmoi në fshehjen e të arratisurit Gjorgje Zhdrale

Naser Oriq është arrestuar mëngjesin e sotëm në zonën e Olovos në Bosnje dhe Hercegovinë, në kuadër të një aksioni policor kundër personave që dyshohet se kanë ndihmuar në fshehjen e të arratisurit Gjorgje Zhdrale.
Ky i fundit dyshohet se më 2 gusht, në Sarajevën Lindore, tentoi ta vriste Kosta Pandureviqin dhe që atëherë ndodhet në arrati, transmeton Telegrafi.
Në të njëjtin aksion, në Sarajevën Lindore është arrestuar edhe ish-deputetja e Kuvendit të Republikës Sërpska, Nikolina Shliviq. Në mesin e të arrestuarve është edhe Mesud Mustafiq.
Operacioni është zhvilluar që nga orët e hershme të mëngjesit në disa lokacione në Bosnjë e Hercegovinë, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska dhe Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), me mbështetjen e agjencive të tjera policore.
Aksioni është realizuar me urdhër të Prokurorisë Publike të Republikës dhe Gjykatës së Qarkut në Banjallukë.
Nën hetim është edhe Mesud Mustafiq nga Vogoshça, për të cilin hetuesit dyshojnë se, ndoshta pa e ditur, ka ndihmuar në transportimin e Zhdrales nga Sarajeva drejt kantonit të Tuzllës.
Ndërkohë, Zhdrale nuk është gjetur as gjatë aksionit të sotëm dhe vazhdon të jetë në arrati. /Telegrafi/

































