Rama: Punonjësit e policisë dhe inspektorët do të pajisen me kamera trupi, do të monitorohen në kohë reale
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se së shpejti do të nisë zbatimi i projektit për pajisjen e punonjësve të Policisë dhe inspektorëve në terren me kamera trupi.
Gjatë aktivitetit për prezantimin e Sistemit Unik të Gjobave, Rama bëri të ditur se kamerat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe do të integrohen me sistemin e inteligjencës artificiale të ngritur në qendrën e monitorimit.
Sipas kryeministrit, kjo teknologji do të mundësojë ndjekjen në kohë reale të aktivitetit të çdo punonjësi në terren, duke monitoruar sjelljen e tyre në raport me qytetarët dhe duke identifikuar rastet kur nevojitet ndërhyrje apo mbështetje.
Rama: Së shpejti do të fillojë edhe zbatimi i projektit që kemi bërë publik për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi.
Kamerat e trupit do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe do të jenë pjesë e sistemit të inteligjencës artificiale që kemi ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë të mundur që, në kohë reale dhe sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet e gjithë vija e sjelljes së çdo punonjësi të Policisë dhe inspektori në raport me qytetarin, si dhe të vlerësohen në kohë reale situatat kur është e nevojshme mbështetja. Të gjitha këto së bashku krijojnë një nivel tjetër dhe e ngrenë në një nivel tjetër marrëdhënien e qytetarit me shtetin.
Ai theksoi se ky projekt synon të ndryshojë marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit, duke rritur kontrollin, transparencën dhe përgjegjshmërinë e punonjësve në terren.




