TIRANË- Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar që të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me operacionin. I pari i Tiranës refuzoi që ndërhyrjen kirurgjikale për këmbën e thyer ta kryejë në spitalin Memorial të Fierit duke kërkuar një mjek që ta zgjedhë familja e tij. GJKKO thotë se kërkesa e Veliajt nuk ka bazë ligjore për tu shqyrtuar nga kjo gjykatë dhe se kompetente është drejtoria e Burgjeve.

Ndërkohë, ndonëse mbrojtja e Veliajt kishte kërkuar shtyrjen e seancës, trupi gjykues vendosi vijimin. Tashmë po vijohet me parashtrimet e mbrojtjes së Gentian Sulës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:00
Seanca për Veliajn, GJKKO refuzon shqyrtimin e kërkesës për operacionin në këmbë: Kompetencë e Drejtorisë së Burgjeve

1794750067_veliajasamblejaeps.jpg

Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliajt për kryerjen në Tiranë, në një spital të zgjedhur prej tij, të operacionit në këmbën e krisur. GJKKO thotë se kërkesa nuk ka bazë ligjore për t’u shqyrtuar prej saj dhe kompetenca i përket Drejtorisë së Burgjeve.

Seanca po vijon me parashtrimet e mbrojtjes së Gentian Sulës.

Ora 11:45
Gjyqi/ Mbrojtja e Veliajt kërkon shtyrjen e seancës, SPAK kundër! GJKKO tërhiqet për vendim

1794915604_plarentndreca.jpg

Avokati Plarent Ndreca kërkoi shtyrjen e seancës duke thënë se nuk ishte lejuar të konsultohej me Erion Veliajn, për të cilin tha se nuk e kanë lejuar dje ta takojë. Prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan vijimin e gjyqit. Dado tha se nuk ka prova që Veliaj nuk mund të marrë pjesë në seancë, ndërsa Dumani theksoi se vetë Veliaj nuk e kishte kushtëzuar vijimin e saj në letrën drejtuar gjykatës. GJKKO është tërhequr për vendim.

Plarent Ndreca: Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën referuar deklaratës që sapo lexuat, ndonëse vullneti i tij ka qenë të vijë vetë në proces. Dje kërkova të takohem dhe të konsultohem me klientin, edhe për sa i takon qëndrimeve që do të mbanim. Duhet të diskutoja me ta disa elemente që të marrë konfirmimin e tij për mbrojtjen që kemi përgatitur, e kemi gati por ka dinamika që ndryshojnë dhe duhet ti konfirmoj. Siç e patë nuk u lejova sa u detyrova të thërras mediat që ta kem si provë. Kemi kërkuar nga ju që të shpreheni me një vendim urgjent sepse situata e tij shëndetësore është antinjerëzore dhe anti-humane. Është me qetësues, me dhimbje dhe paterica

Ols Dado: Qëllimet janë të mësuara. Ne kemi informacionet tona mjekët nuk mendojnë kështu për pamundësinë e pjesëmarrjes në gjyq. Ne kërkojmë vijimin e seancës. Nuk ka prova për pretendimin e ngritur. Nëse do të kthejmë në debat gjyqësor çështjen ku duhet bërë operacioni, dakort

Altin Dumani: Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja.

Ora 11:17
Gjyqi/ Veliaj sërish letër GJKKO: Nuk marr dot pjesë për shkak të këmbës! Nuk kërkoj botoks, dua të operohem nga një mjek që zgjedh familja ime

1795277673_VELO.jpg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar sërish me një letër GJKKO-së, në të cilën thotë se nuk mund të marrë pjesë në senacë për shkak të gjendjes së përkeqësuar të këmbës. Veliaj i kërkon GJKKO-së që të marrë një vendim për operacionin e tij.

Veliaj refuzoi operacionin në spitalin Memorial të Fierit dhe në letër thotë se kërkon që të bëhet operim me mjekun që zgjedh familja e tij. “Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë”, thekson Veliaj në letër, ndërsa në një reagim të dy ditëve më parë Veliaj tha se nuk mund t’ia besojë jetën një spitali ku e ka dërguar kryeministri Edi Rama.

“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore”, thuhet në deklaratë.

“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime”, është shprehur Veliaj.

“Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, ka deklaruar Veliaj.