Ulen nafta dhe benzina, Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja
Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve. Vendimi i ri hyn në fuqi këtë të martë, më 24 nëntor, në orën 14:00.
Sipas vendimit, çmimi i naftës me pakicë do të jetë jo më shumë se 195 lekë për litër, nga 201 lekë që ishte më parë, duke pësuar një ulje prej 6 lekësh.
Edhe benzina pëson një ulje të lehtë. Ajo do të tregtohet me jo më shumë se 159 lekë për litër, nga 160 lekë që ishte në vendimin e mëparshëm.
Ndërkohë, çmimi i gazit për automjetet zbret në 69 lekë për litër, nga 71 lekë që ishte më parë.
Edhe nafta për aktivitetin e peshkimit pëson ulje, duke zbritur nga 105 në 99 lekë për litër.
Çmimet e reja do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Çmimet e reja me pakicë:
- Nafta: 195 lekë/litër.
- Benzina: 159 lekë/litër.
- Gazi: 69 lekë/litër.
- Nafta për peshkimin: 99 lekë/litër.




