Tuesday / November 24 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

BE kufizon zbatimin e Paktit për Emigracionin, zhvendosen vetëm 1,283 azilkërkues

Share Share Icon

Shtetet anëtare të BE-së kanë reduktuar angazhimet konkrete për ndarjen e barrës së parimit të “solidaritetit të detyrueshëm” të Paktit për Emgracionin, pavarësisht pragut minimal vjetor prej 30,000 zhvendosjesh.

Vetëm 1,283 azilkërkues do të zhvendosen ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian në vitin 2026, vitin e parë të zbatimit të rregullave të reja të bllokut për emigracionin.

Parimi i “solidaritetit të detyrueshëm” i Paktit për Emigracionin dhe Azilin ka hasur në rezistencën e shumicës së shteteve anëtare, të cilat kanë dobësuar vazhdimisht mekanizmin e zhvendosjes, duke përdorur një sërë mënyrash për të minimizuar angazhimet e tyre ndaj vendeve që përballen drejtpërdrejt me flukset migratore.

Ndërsa Komisioni Europian fillimisht propozoi zhvendosjen e 30,000 azilkërkuesve nga Italia, Spanja, Greqia dhe Qiproja, deri më tani janë transferuar vetëm 562 persona, të gjithë nga Qiproja drejt Lituanisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Francës.

Një diplomat tha se deri në fund të vitit janë planifikuar fluturime të tjera nga Qiproja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1,283 persona.

Kjo përbën një pjesë shumë të vogël të 669,000 personave që aplikuan për azil në BE gjatë vitit 2025.

Si e dobësuan shtetet anëtare mekanizmin e solidaritetit

Sipas Rregullores për Menaxhimin e Azilit dhe Emigracionit, një nga shtyllat kryesore të Paktit, Komisioni duhet të propozojë çdo vit një mekanizëm solidariteti, i cili përcakton mënyrën se si shtetet anëtare duhet të mbështesin njëra-tjetrën.

Mekanizmi përbëhet nga dy komponentë: një kuotë për zhvendosjen e azilkërkuesve nga vendet që konsiderohen se janë “nën presion emigrator” dhe një kuotë kontributesh financiare nga shtetet e tjera anëtare. Këto kontribute mund të marrin edhe formën e “masave alternative të solidaritetit”, të tilla si financimi i projekteve të ndërtimit apo blerja e pajisjeve.

Pragu minimal vjetor është 30,000 zhvendosje dhe 600 milionë euro kontribute financiare. Secilit shtet anëtar i caktohet një “pjesë e drejtë” e kontributit, bazuar në popullsinë dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), por qeveritë mund të zgjedhin mënyrën se si do t’i përmbushin detyrimet e tyre.

Për vitin 2026, Spanja, Italia, Greqia dhe Qiproja u klasifikuan si vende nën presion emigrator, duke fituar të drejtën për të përfituar nga masat e solidaritetit.

Republika Çeke, Kroacia, Austria dhe Polonia u përjashtuan nga kuotat e tyre, pasi u konsiderua se po “përballeshin me një situatë të konsiderueshme migratore”. 18 vendet e mbetura ishin të detyruara të kontribuonin, financiarisht ose duke pranuar azilkërkues. Danimarka nuk përfshihet në këtë skemë.

Megjithatë, shtetet anëtare argumentuan se raundi i parë i kontributeve duhej të reduktohej proporcionalisht, pasi rregullat e reja do të zbatoheshin vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026.

Në dhjetor 2025, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord për 21,000 zhvendosje “ose masa të tjera solidariteti” dhe 420 milionë euro kontribute financiare, duke reduktuar propozimin fillestar të Komisionit Europian.

Por edhe pas këtij reduktimi, 21,000 zhvendosjet mbetën kryesisht në letër.

Hungaria dhe Sllovakia refuzuan të jepnin çfarëdo kontributi, në një shkelje të dukshme të parimit të solidaritetit të detyrueshëm, për të cilën Komisioni ende nuk ka vendosur sanksione.

Nga vendet që ishin të detyruara të kontribuonin, vetëm shtatë pranuan të merrnin azilkërkues të zhvendosur, ndërsa tetë zgjodhën të ofronin vetëm mbështetje financiare.

Numri i përgjithshëm i zhvendosjeve të premtuara ra nën 9,000, duke reduktuar ndjeshëm mbështetjen në dispozicion të Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Qipros.

Shtetet anëtare iu drejtuan gjithashtu një mekanizmi tjetër ligjor për të reduktuar, ose për të shmangur plotësisht, transferimin fizik të azilkërkuesve nga vendet që përballen drejtpërdrejt me flukset emigratore: mekanizmit të “kompensimit të përgjegjësisë”.

Sipas kësaj skeme, një vend merr përsipër përgjegjësinë për një numër të caktuar azilkërkuesish që ndodhen tashmë në territorin e tij, si rezultat i “lëvizjeve dytësore”, pra persona që duhej të kishin aplikuar për azil në vendin e parë të BE-së ku kishin mbërritur.

Nina Gregori, drejtoreshë e Agjencisë së Bashkimit Europian për Azilin (EUAA), tha se vendet kontribuuese kishin arritur marrëveshje dypalëshe me vendet nën presion emigrator për të shfrytëzuar këtë mekanizëm.

“Mekanizmi i kompensimit është përdorur për përmbushjen e detyrimeve të solidaritetit ndaj Spanjës, Italisë dhe Greqisë, ndaj në këtë cikël të parë të zbatimit të politikës nuk po kryhen transferime fizike apo zhvendosje të azilkërkuesve nga këto vende”, tha ajo në një intervistë për Euronews.

Për rrjedhojë, Qiproja është i vetmi vend nën presion emigrator nga i cili azilkërkuesit janë zhvendosur realisht në kuadër të kësaj skeme.

Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin ka ndihmuar në transferimin e 253 azilkërkuesve nga Qiproja drejt Rumanisë dhe të 80 të tjerëve drejt Bullgarisë.

“Persona të tjerë janë transferuar drejt Francës dhe Lituanisë, por pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të agjencisë”, tha Gregori.

/ Euronews

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Trump tregon fuqinë e tij me rikthimin e Jensen Huang në krye të Nvidia-s

Ndërhyrja e presidentit amerikan Donald Trump për rikthimin e Jensen Huang në drejtimin e Nvidia-s tregon se, pavarësisht humbjes së kontrollit të ...

3 hours më parë 2 Min Lexim

Macron propozon “rregullin e artë” për buxhetin, kufizime kushtetuese për shpenzimet publike

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka propozuar vendosjen e një “rregulli të artë” në Kushtetutë për të kontrolluar shpenzimet publike dhe për të...

20 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!