E dalë nga zgjedhjet parlamentare me 83 mandate deputetësh, Partia Socialiste vendosi të martën të përjashtojë nga grupi i saj parlamentar deputeten Elisa Spiropali pas përpjekjeve të dështuara të saj për të nxitur një debat të brendshëm për problemet e qeverisjes.
Vendimin e mbledhjes me dyer të mbyllura e konfirmoi për mediat kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili tha se vendimmarrja për përjashtimin e një anëtari ishte marrë bazuar në rregulloren e brendshme të grupit.
“Do të keni dokumentacionin që do t’i vihet në funksion Kuvendit lidhur me këtë vendimmarrje, që është në zbatim të rregullores së grupit parlamentar dhe u njoftua sot edhe në grup,” tha Balla, ndërsa shtoi se i vinte keq që ‘pas 9 vitesh duhet të shkonim në këtë vendimmarrje’.
“Kjo ndodh edhe në Bundestagun gjerman,” shtoi ai pa kthyer një përgjigje të qartë për arsyet e përjashtimit.
Spiropali nuk komentoi këtë vendim deri në publikimin e këtij artikulli.
Ndëshkimi politik i Spiropalit, ish- kryetare e Kuvendit dhe ish-Ministre e Jashtme e qeverisë u paralajmërua nga Kryeministri Edi Rama në një mbledhje partie para pak ditësh, ku kërkoi përjashtimin e saj nga çdo forum i partisë.
Spiropali u përfshi në politikë në vitin 2009 dhe e ndërtoi profilin e saj publik si mbështetëse e flaktë e Edi Ramës. Kritikat e saj ndaj qeverisjes kanë tërhequr vëmendjen në një ambjent politik të kontrolluar nga kryetari i partisë dhe bindja uniforme e deputetëve.
Marrëdhëniet mes Ramës dhe Spiropalit u krisën në shkurt, pas shkarkimit të beftë të saj nga posti i ministres së Jashtme. Në një intervistë televizive, Spiropali e lidhi këtë me mungesën e saj në votimin për imunitetin e Belinda Ballukut- ku Partia Socialiste u rreshtua në mbrojtje të saj ndaj një kërkese për arrest nga Prokuroria e Posaçme.
Kur “Revolucioni I Flamingove” ishte në kulmin e vet, Spiropali bëri thirrje për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, duke argumentuar se forca politike në pushtet duhet t’i nënshtrohet një procesi rinovimi dhe vetëpastrimi për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes.
Por platformat e saj politike për të nxitur debat politik brenda partisë në pushtet nuk u morën parasysh nga strukturat partiake.
Partia Socialiste u themelua në vitin 1991, ku në kongresin e X-të të Partisë së Punës që kishte sunduar vendin në mënyrë totalitare për 45 vite vendosi t’i përshtatej një kohe të re pas rrëzimit të regjimit komunist.
Pavarësisht kësaj trashëgimie, ajo konsiderohej një parti demokratike ku kishte fraksione dhe mendim ndryshe gjatë kohës që u drejtua nga Fatos Nano. Që nga viti 2005, kjo parti drejtohet nga Edi Rama, i cili u mbylli derën qëndrimeve kritike brenda partisë dhe e ngushtoi demokracinë e brendshme. Ai nuk i është nënshtruar një procesi votimi brenda partisë që prej vitit 2019.






