Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstaton shkelje të rënda për 52-vjeçar në Durrës: Spitali e diskriminoi pacientin me HIV, e nxori nga pavioni dhe e la në Port

24/11/2026 13:32

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektorial nga ana e Spitalit Rajonal të Durrësit ndaj një 52-vjeçari që jetonte me HIV, kishte varësi nga droga dhe ishte pa strehë.

Në vendimin nr. 298, të datës 10 nëntor 2026, të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Komisioneri konstaton gjithashtu diskriminim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për shkak të mungesës së aksesit në shërbimet e kujdesit shoqëror. Sipas hetimit administrativ, 52-vjeçari ishte shtruar në Spitalin Rajonal të Durrësit pas trajtimit në QSUT, ku kishte kryer një ndërhyrje vaskulare në gjymtyrën e poshtme të majtë. Ai kishte diagnozën e pseudoaneurizmës së infektuar dhe kishte nevojë për trajtim të vazhdueshëm.

Megjithëse strukturat e spitalit ishin në dijeni se pacienti nuk kishte një banesë të sigurt dhe as mbështetje familjare, më 27 korrik 2026 u vendos dalja e tij nga spitali. Komisioneri konstaton se dalja u krye pa një destinacion të konfirmuar, pa një person që ta merrte në dorëzim dhe pa një plan për vijimësinë e kujdesit shëndetësor.

Në vendim evidentohet se psikologia e pavijonit kishte rekomanduar konsultën me mjekun psikiatër, por kjo konsultë nuk u realizua. Po ashtu, strukturat sociale të Bashkisë Durrës kishin konstatuar se pacienti duhej të vijonte hospitalizimin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Pas daljes nga spitali, pacienti u transportua me autoambulancë drejt banesës së vëllait, i cili, sipas deklaratës së infermierit shoqërues, refuzoi ta mbante, duke sqaruar se 52-vjeçari qëndronte në zonën e Portit të Peshkimit. Ai u dërgua më pas në një barakë në Portin e Durrësit dhe u la aty, në prani të familjarit dhe punonjësve të policisë.

Por braktisja nuk përfundoi me kaq. Disa orë më vonë, në mbrëmjen e 27 korrikut, një ekip tjetër i urgjencës paraspitalore u paraqit në vendin ku ndodhej pacienti pas një telefonate për ndihmë. Sipas dokumentacionit, ai u vlerësua si klinikisht i shëndetshëm, me shënimin “i pastrehuar”, dhe u la sërish në vendngjarje.

Të nesërmen, më 28 korrik, pacienti u transportua përsëri në spital me hemorragji. Në dokumentacionin mjekësor të QSUT-së u konstatua gangrenë, ndërsa më 29 korrik iu nënshtrua amputimit të gjymtyrës së poshtme të majtë mbi gju.

Një tjetër shkelje e evidentuar në vendim lidhet me publikimin e të dhënave sensitive shëndetësore të pacientit. Më 29 korrik, Spitali Rajonal i Durrësit publikoi një deklaratë ku pretendonte se pacienti ishte transportuar në destinacion dhe i ishte dorëzuar familjarit. Në komunikimet publike të institucionit u bënë gjithashtu të ditura të dhëna për statusin e tij HIV dhe përdorimin e heroinës.

Komisioneri vlerëson se publikimi i këtyre të dhënave, pa pëlqimin e pacientit dhe pa një qëllim të ligjshëm mjekësor apo informues, përbën shkelje të së drejtës për privatësi dhe konfidencialitetin e informacionit shëndetësor.

Po ashtu, vendimi evidenton se deklarata e spitalit për dorëzimin e pacientit te familjari rezultoi e pavërtetë, ndërsa dokumentacioni spitalor kishte mangësi dhe mospërputhje lidhur me oraret dhe destinacionin e transportit.

Në vendimin e saj, Komisionerja Genta Tafa (Bungo) konstaton diskriminim edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për shkak të mosgarantimit të shërbimeve publike rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga droga dhe personat pa strehë.

Sipas Komisionerit, megjithëse legjislacioni shqiptar i njeh këto kategori si përfitues të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në praktikë mungojnë strukturat publike të nevojshme për trajtimin dhe sistemimin e tyre.

Komisioneri vlerëson se mungesa e këtyre shërbimeve, së bashku me mungesën e koordinimit mes institucioneve, e la pacientin pa asnjë alternativë të sigurt pas daljes nga spitali.

Në përfundim të hetimit, Komisioneri ka urdhëruar Spitalin Rajonal Durrës që brenda tre muajve të rishikojë procedurat e daljes nga spitali, duke garantuar që pacientët pa strehë, pa mbështetje familjare ose që nuk mund të kujdesen për veten të dalin vetëm pas një vlerësimi klinik dhe social dhe sigurimit të një destinacioni të sigurt.

Spitali duhet gjithashtu të garantojë që vendimet mjekësore të mos ndikohen nga statusi HIV, gjendja shoqërore apo historiku i përdorimit të drogës, të mbrojë konfidencialitetin e pacientëve dhe të trajnojë personelin për mosdiskriminimin.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka një afat prej gjashtë muajsh për të garantuar shërbime publike rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga droga, si dhe për të miratuar një protokoll ndërinstitucional për daljen e sigurt nga spitali të pacientëve në situatë cenueshmërie.

Rekomandime u janë drejtuar gjithashtu Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Shërbimit Social Shtetëror, Bashkisë Durrës, QSUT-së dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Spitali Rajonal Durrës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë detyrimin të raportojnë mbi masat e ndërmarra, ndërsa moszbatimi i vendimit mund të sjellë ndëshkimin me gjobë.

Vendimi i Komisionerit mund të ankimohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë brenda 45 ditëve nga marrja dijeni.

Top Channel