Në ferr e kthim. Boksieri britanik Tyson Fury ka zbuluar se vuan nga skizofrenia dhe çrregullimi bipolar. Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë vendosi të flasë hapur për betejat e tij me shëndetin mendor, të cilat u shfaqën dhe u diagnostikuan pak pasi ai fitoi titullin botëror kundër ukrainasit Wladimir Klitschko në vitin 2015.
Në një dokumentar të disponueshëm në Netflix, 38-vjeçari Fury e përshkruan atë periudhë me fjalë të forta: “Nuk ka fjalë për të përshkruar errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte si të jetoje në një lloj ferri.”
Boksieri, i njohur me nofkën “Mbreti Cigan” (The Gypsy King), rrëfeu gjithashtu se kishte frikë se do të përfundonte në një dhomë të mbushur me materiale të buta mbrojtëse dhe me derën të mbyllur, një mundësi që e tmerronte thellësisht. Kjo frikë e paralizoi, duke e penguar të ndërmerrte ndonjë veprim apo të përballej me situatën.
Si pasojë, ai vendosi të kërkonte ndihmë nga një psikiatër në Londër. Boksieri anglez tregoi gjithashtu se dëgjonte zëra në mendjen e tij. Në një moment, ai madje besonte se radioja po komunikonte drejtpërdrejt me të. Në një rast, ai iu lut bashkëshortes së tij, Paris, ta nxirrte nga spitali, i bindur se “Iluminatët” po e përndiqnin.
Pas fitores ndaj Klitschko, Fury shtoi shumë në peshë dhe kaloi disa vite duke luftuar varësinë nga alkooli dhe droga. Në shtator të vitit 2016, ai rezultoi pozitiv për kokainë gjatë një kontrolli antidoping, në kuadër të përgatitjeve për një ndeshje revanshi kundër Wladimir Klitschko.
Kjo situatë çoi në pezullimin e licencës së tij, dorëzimin e titujve botërorë dhe, më pas, në pranimin publik të betejave të tij me depresionin dhe abuzimin me alkoolin. Fury e identifikoi vitin 2017 si një pikë kthese në rrugëtimin e tij. Gjatë një feste për Halloween, ai kuptoi se jeta e tij kishte dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Pikërisht ky ndërgjegjësim e shtyu atë të rikthehej në boks. Rikthimi i tij arriti kulmin në vitin 2020, kur ai rifitoi titullin botëror duke mposhtur Deontay Wilder. Sot, Fury po përgatitet për përballjen shumë të pritur mes dy britanikësh, kundër bashkatdhetarit të tij Anthony Joshua, e planifikuar për më 11 dhjetor në Cardiff.








