Erling Haaland mund të jetë protagonist i një prej transferimeve më të bujshme të merkatos së verës 2027. Sulmuesi norvegjez i Manchester City ndiqet me interes nga Liverpool, PSG, Real Madridi dhe Barcelona, të cilët po monitorojnë zhvillimet rreth të ardhmes së tij.
Sipas zërave të raportuar nga mediat angleze, Manchester City mund të marrë në konsideratë një ofertë prej rreth 150 milionë eurosh për sulmuesin 26-vjeçar, pavarësisht se kontrata e tij është e vlefshme deri në qershor 2034. Pasiguria që lidhet me mundësinë e sanksioneve ndaj klubit anglez në Premier League është një nga faktorët që ushqen spekulimet. Liverpool-i e ka monitoruar tashmë situatën, ndërsa PSG-ja, Reali dhe Barcelona kanë kapacitetin financiar për të tentuar një operacion të kësaj përmase.
Dy gjigantët spanjollë e shohin pasigurinë rreth projektit të City si një mundësi për t’iu afruar norvegjezit. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet kontrata e gjatë, e rinovuar në janar 2025 deri në vitin 2034, pa klauzolë largimi. Kjo i jep Manchester City një pozicion të fortë negociues, por rënia e mundshme nga kategoria ose sanksionet që do të dobësonin projektin e klubit mund të ndryshonin gjithçka. Deri tani nuk ka oferta zyrtare apo sinjale konkrete për një ndarje të afërt.







