Gjithçka po shtrenjtohet, edhe inflacioni, përjashtuar ushqimet, iu kthye rritjes në muajin tetor
Inflacioni bazë iu kthye rritjes në muajin tetor, pas tre muajsh radhazi në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë inflacioni vjetor bazë u rrit në 2.6%, nga 2.37% që kishte qenë një muaj më parë.
Megjithatë, inflacioni bazë ngelet në rënie me bazë vjetore, duke zbritur poshtë nivelit prej 3.13% ku kishte qenë një vit më parë.
Gjithashtu, inflacioni bazë ende ngelet poshtë nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për tetorin shënoi nivelin 3.4%.
Rënia e përkohshme e inflacionit bazë në muajt e fundit ka qenë e lidhur sidomos me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e inflacionit bazë në vitet e fundit.
Nën-shporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Ai është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto iu rikthye rritjes
Për tetorin, ky tregues u rrit në nivelin në 2.35%, nga 2.23% që kishte qenë në shtator. Edhe inflacioni bazë neto ngelet në rënie vjetore, nga niveli prej 3.36% i një viti më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 49% të shportës së IÇK-së.
Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në tetor 2026 u rrit në nivelin 2.36%, nga 2.21% që kishte qenë në gusht, por në rënie prej nivelit 3.36% ku qëndronte një vit më parë.
Ulja e inflacionit bazë në periudhën korrik-shtator u duk se i uli presionet më të qëndrueshme inflacioniste mbi ekonominë. Megjithatë, rikthimi i rritjes në muajin tetor tregon se rreziqet inflacioniste ngelen të larta.
Banka e Shqipërisë deri tani ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, pavarësisht rrezqieve inflacioniste në ekonomi. Konflikti në Lindjen e mesme ka rritur çmimet e naftës që prej muajit mars, ndërkohë që presionet e brendshme ngelen të qëndrueshme, të lidhura me kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe të tregut të qirave./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










