BSH nxitëse e nismave kërkimore në ekonomi/Më shumë bashkëpunim, studime të përbashkëta dhe akses në të dhëna
Ndryshimet në ekonominë shqiptare dhe sfidat e reja kërkojnë më shumë ekspertizë dhe bashkëpunim në kërkimin ekonomik. Në Workshop-in e 20-të të Kërkimit Ekonomik të Evropës Juglindore, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e gjykimit profesional dhe përgjegjësisë institucionale, duke paralajmëruar mbështetje më të madhe nga Banka e Shqipërisë për kërkimin shkencor.
“Pas 20 vitesh bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash, besoj se ka ardhur momenti që këtë platformë ta çojmë në një nivel të ri. Ambicia jonë është që workshop-i të mos mbetet vetëm një forum ku prezantohen dhe diskutohen studime, por të shndërrohet në një hapësirë ku zhvillohen projekte të përbashkëta dhe krijohen njohuri të reja për ekonomitë e rajonit”, u shpreh guvernatori Sejko.
Për ta konkretizuar këtë ambicie, Banka e Shqipërisë propozon dy nisma.
“Së pari, krijimin e një serie të përbashkët dokumentesh kërkimore, Working Paper Series, të lidhur me këtë workshop. Kjo do të mundësonte publikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të studimeve, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet studiuesve dhe institucioneve partnere. Së dyti, synojmë të krijojmë një kuadër të qartë për aksesin e studiuesve në të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë, duke respektuar kërkesat për konfidencialitetin dhe mbrojtjen e tyre”, tha ai.
Në mbyllje Sejko kishte një ftesë edhe bankat qendrore partnere, universitetet, institucionet kërkimore dhe studiuesit që të bëhen pjesë aktive e këtyre përpjekjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



