Me 7 vota kundër, asnjë pro dhe asnjë abstenim, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi në parim projektligjin e propozuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, për ndalimin e bojkotit të avokatëve në rastet kur ai pengon zhvillimin e proceseve gjyqësore. Nisma për ndryshimin e ligjit nr. 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, u shoqërua me debate mbi pavarësinë e avokatisë, funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe garantimin e të drejtave të personave në paraburgim. Në argumentimin e projektligjit, Blushi deklaroi se konflikti ndërmjet Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës së Avokatisë kishte sjellë shtyrjen e afro 700 seancave gjyqësore, duke cenuar të drejtat e qytetarëve që presin drejtësi.
“Ky projektligj synon të vendosë një standard ligjor që harmonizon pavarësinë e avokatisë me detyrimin për të mos penguar funksionimin e procesit gjyqësor. Qëllimi është që të parandalojë që një konflikt i zgjidhur de jure me një vendim gjykate të mund të përsëritet dhe të prodhojë pasoja shumë të rënda për personat që presin drejtësi”, deklaroi Blushi.
Deputeti i Partisë së Lirisë përmendi edhe rastin e Ilir Metës, duke argumentuar se pezullimi i afateve të paraburgimit të tij ka ardhur si pasojë e një konflikti institucional, për të cilin, sipas tij, Meta nuk mban asnjë përgjegjësi. “Kjo nismë nuk dobëson Dhomën e Avokatisë, as pavarësinë e profesionit të avokatisë. Ky projektligj parashikon ndaljen e bojkotit kur ky pengon zhvillimin e proceseve gjyqësore, sepse Dhoma e Avokatisë nuk mund të funksionojë më si një sindikatë”, shtoi ai.
Haxhia: Duhet të trajtohet shkaku i konfliktit, jo pasoja
Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, kundërshtoi propozimin e Blushit, duke theksuar se përpara ndërhyrjeve ligjore duhet të analizohen rrethanat që detyruan avokatët të ndërmerrnin bojkotin. Haxhia deklaroi se përpjekjet për dialog me institucionet përgjegjëse nuk kishin marrë përgjigje, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
“Është shumë e rëndësishme që të gjykohet mbi shkakun dhe jo mbi pasojën. GJKKO përgatiti një rregullore prej 160 nenesh, mes të cilave kishte sigurinë dhe rendin në ambientet e saj. Ne, me t’u njohur, kërkuam takim, se ishin probleme që mund të zgjidheshin me mirëkuptim. Nuk jemi pranuar, jemi injoruar në kërkimet tona”, u shpreh Haxhia.
Sipas tij, kuadri ligjor në fuqi disponon mekanizmat e nevojshëm për kontrollin e veprimtarisë së avokatisë. Si argument, ai solli ndërprerjen e menjëhershme të bojkotit pas vendimit të Gjykatës Administrative. “Ne e kemi instrumentin kontrollues, është gjykata. U çua çështja në Gjykatën Administrative, mori masë provizore pezullimi dhe ne, menjëherë me t’u vënë në dijeni, bojkoti u ndërpre. Ja ku është një mjet që kontrollon veprimtarinë. Pra, avokatia nuk mund të bëjë çfarë të dojë”, deklaroi kreu i Dhomës së Avokatisë.
Haxhia kritikoi gjithashtu Këshillin e Lartë Gjyqësor për mënyrën e menaxhimit të konfliktit, duke kundërshtuar që përgjegjësia për mosfunksionimin e institucioneve të zhvendoset tek avokatët.
Luarasi: Paraburgimi i zgjatur mbetet problem, por duhet ruajtur pavarësia e avokatisë
Kryetarja e komisionit, deputetja e PS-së, Iris Luarasi, pranoi se kohëzgjatja e paraburgimit në Shqipëri përbën një problem serioz, por shprehu rezerva nëse projektligji i propozuar do të ishte zgjidhja e duhur. Duke iu referuar konstatimeve të Këshillit të Evropës, Luarasi nënvizoi diferencën ndërmjet kohëzgjatjes mesatare të paraburgimit në Shqipëri dhe vendeve evropiane. “Mesatarja e paraburgimit në Shqipëri është 280 ditë, ndërkohë që Evropa e ka 150-160 ditë. Këto nuk diskutohen dhe është pranuar edhe nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Është një situatë që duhet ndryshuar. Por a është nisma juaj që e rregullon këtë, kur vjen puna për pavarësinë e profesionit të avokatëve? Mendoj që janë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën”, deklaroi Luarasi.
Opozita kërkon zgjerimin e diskutimeve, komisioni refuzon shtyrjen e votimit
Deputeti Arjan Ndoja propozoi që çështja të trajtohej në një tryezë më të gjerë institucionale, me pjesëmarrjen e komisioneve të tjera parlamentare dhe përfaqësuesve të KLGJ-së, GJKKO-së dhe SPAK-ut. Sipas tij, një diskutim i tillë mund të evidentonte nevojën për ndërhyrje edhe në Kodin e Procedurës Penale, përpara miratimit të ndryshimeve në ligjin për profesionin e avokatit. Propozimi u mbështet edhe nga deputetja Greta Bardeli, e cila kërkoi shtyrjen e votimit dhe vijimin e konsultimeve. Megjithatë, kërkesa për shtyrje nuk u miratua. Pas përfundimit të debateve, projektligji u hodh në votim në parim, duke u rrëzuar me 7 vota kundër, asnjë pro dhe asnjë abstenim.
