Ministria e Sportit harton 12 akte nënligjore për avancimin e kuadrit ligjor në sportin kosovar
Ministria e Sportit dhe Rinisë (MSR) ka nisur punën për hartimin e 12 akteve nënligjore, të cilat synojnë rregullimin dhe avancimin e mëtejmë të fushës së sportit në Republikën e Kosovës.
Përmes grupeve punuese, kjo ministri është duke zhvilluar procesin e hartimit të akteve që përfshijnë disa nga çështjet më të rëndësishme të organizimit dhe funksionimit të sportit në vend.
Sipas njoftimit të MSR-së, këto akte do të adresojnë funksionimin e federatave dhe klubeve sportive, stimulimin financiar dhe shpërblimin e sportistëve, sponsorizimin, ushtrimin e veprimtarive sportive, si dhe kompensimin e kontributdhënësve në sport.
Po ashtu, pjesë e këtij procesi do të jenë edhe rregullimi i inspektimit dhe avancimi i standardeve të qeverisjes së mirë në sport.
Përmes kësaj nisme, Ministria e Sportit dhe Rinisë synon të krijojë një kuadër ligjor më të plotë dhe funksional, duke përcaktuar standarde të qarta për organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sportit në Kosovë. /Telegrafi/

































