Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në vijim të hetimeve të operacionit të koduar “Labirinti”, ku një ditë më parë u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike në fshatin Ganjollë. Sipas Policisë së Shkodrës, të proceduarit janë J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz; K. F., 42 vjeç, banues në Hot të Ri; L. H., 65 vjeç, banues në Gur të Zi; Gj. M., 53 vjeç, banues në Juban; dhe D. D., 43 vjeç, banues në Kosmaç. Materialet procedurale ndaj tyre janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara një ditë më parë në dy objekte të nëndheshme në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësuan 2 600 bimë narkotike dhe arrestuan 10 persona. Policia bën të ditur se ambientet nëntokësore ishin përshtatur për kultivimin e bimëve të dyshuara narkotike dhe për përpunimin e lëndës së dyshuar narkotike.
Hetimet për operacionin “Labirinti” vazhdojnë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
