EMRAT/ Ishin kther në mjeshtra të grabitjes, goditet banda shqiptare në Spanjë, autoritetet: Mbaronin punë në kohë rekord, brenda 10 minutash
Një grup kriminal shqiptar, i goditur nga autoritetet spanjolle në kuadër të operacionit të koduar “Ziralla”, ishte i specializuar në grabitjen e banesave, duke kryer çdo goditje në një kohë rekord prej vetëm 10 minutash. Tre anëtarët e grupit, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., të gjithë shtetas shqiptarë, ndodhen tashmë në burg.
Sipas gazetës spanjolle La Región, banda kishte një organizim të mirëfilltë dhe përdorte teknologji e pajisje të specializuara për të maksimizuar përfitimet nga çdo grabitje. Hetuesit u sekuestruan anëtarëve të saj targa të palosshme, të cilat ndërroheshin për të shmangur identifikimin dhe gjurmimin e automjetit.
Por ajo që i dallonte grabitësit ishte edhe arsenali i mjeteve që përdornin. Mes tyre kishte prerëse hidraulike për të shqyer hyrjet e banesave, si dhe reagentë kimikë për të kontrolluar në vend pastërtinë e diamanteve dhe arit të vjedhur. Kjo u mundësonte të identifikonin brenda pak sekondash sendet me vlerë dhe të shmangnin objektet e falsifikuara.
Një tjetër karakteristikë e grupit ishte shmangia e kontaktit me banorët. Gjatë konferencës për shtyp pas operacionit, autoritetet spanjolle theksuan se grabitësit nuk hynin në banesa nëse brenda ndodheshin njerëz dhe largoheshin menjëherë në rast se ndesheshin me ndonjë banor.
“Nëse në banesë ka persona, ata nuk hyjnë. Nëse gabimisht futen dhe konstatojnë praninë e dikujt, largohen menjëherë”, shpjegoi kapiteni Juan José López, nga Njësia Organike e Policisë Gjyqësore të Gardës Civile.
17 grabitje në tre provinca spanjolle
Në javët e fundit, grupit kriminal i atribuohen deri në 17 grabitje në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.
Hetimet nisën më 30 tetor, kur Garda Civile e Ourense identifikoi aktivitetin e grupit. Vetëm në këtë provincë u zbuluan gjashtë grabitje në pika të ndryshme: në A Merca dhe Allariz më 30 tetor, në Vilanova dos Infantes dhe Barbadás më 1 nëntor, si dhe në Coles e Vilamarín më 4 nëntor.
Sipas kapitenit López, hetimi u zhvillua në një kohë shumë të shkurtër, por autoritetet besojnë se mund të ketë edhe vepra të tjera penale që do t’u atribuohen tre shqiptarëve pas analizimit të provave të sekuestruara.
Pas grabitjeve, autorët u larguan nga Galicia më 7 nëntor, por u rikthyen katër ditë më vonë. Garda Civile tentoi t’i arrestonte në dy raste, por ata arritën t’u shpëtonin forcave të policisë.
U strehuan në pyll, përplasën makinat e policisë gjatë arratisjes
Operacioni për arrestimin e tyre përfundoi më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedrës. Tre shqiptarët ishin strehuar në një zonë të pyllëzuar, ku jetonin në një tendë kampingu për t’iu shmangur autoriteteve.
Ata lëviznin me një automjet kompakt me katër rrota aktive dhe fuqi mbi 350 kuaj fuqi, të cilin e përdorën edhe për t’u shpëtuar ndjekjeve të policisë.
Gjatë dy përpjekjeve të mëparshme për arrestimin e tyre, grabitësit përplasën qëllimisht automjetet zyrtare të Gardës Civile, duke rrezikuar jetën e efektivëve.
Nënkoloneli Rafael Berguillo e cilësoi grupin si veçanërisht të rrezikshëm, duke theksuar se autorët nuk kishin nevojë domosdoshmërisht për armë zjarri, pasi përdornin automjetin e tyre si mjet për të goditur këdo që u dilte përpara.
Gjatë njërës prej arratisjeve, hetuesit vunë re se automjeti kishte ndryshuar drejtim pak para se të përballej me një postbllok policie. Dyshimet janë se grabitësit mund të ishin paralajmëruar për kontrollet përmes një aplikacioni ose nga sinjalizimet e drejtuesve të tjerë të automjeteve.
Kapiteni López paralajmëroi qytetarët se publikimi apo shpërndarja e informacioneve për kontrollet e Gardës Civile mund t’u japë mundësi autorëve të krimeve të shmangin arrestimin dhe të vijojnë aktivitetin e tyre kriminal.




