Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë në apel vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë lidhur me mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.
Në një parashtresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja Sophie Menegon ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës rezervon të drejtën për të apeluar vendimin për vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe mënyrën e përllogaritjes së paraburgimit.
Më 17 nëntor 2026, Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e dënoi me 17 muaj burgim.
Megjithatë, gjykatësi vendosi që koha e kaluar në paraburgim, në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta, të mos llogaritej për të dy dënimet, me arsyetimin se ato lidhen me vepra penale të ndryshme.
Mbrojtja kundërshton këtë mënyrë të përllogaritjes, duke argumentuar se, nëse do t’i njihej Thaçit koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në rastin 12, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej tashmë i vuajtur.
Sipas këtij interpretimi të mbrojtjes, Thaçi do ta kishte përfunduar dënimin dhe do të duhej të ishte liruar.
Ndërkohë, avokatja Menegon ka sqaruar se mbrojtja nuk planifikon, për momentin, të paraqesë parashtresa të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit, por ka ruajtur të drejtën për të kundërshtuar vendimin përmes procedurës së apelit.

