Zelensky konfirmon se Ukraina goditi një anije ruse në Gjirin e Finlandës, Norvegjia i bën thirrje për kujdes
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit me dron të së shtunës ndaj një anijeje mallrash ruse në Gjirin e Finlandës, ndërsa Norvegjia, një nga mbështetësit e fuqishëm të Kievit, i ka bërë thirrje Ukrainës të tregojë kujdes gjatë operacioneve të tilla.
Anije nga Finlanda, Estonia dhe Rusia morën pjesë në një operacion të përbashkët shpëtimi për shuarjen e zjarrit në anije. Të dielën, një anije ruse e tërhoqi atë drejt ujërave ruse, ku aktualisht ndodhet e ankoruar në Shën Petersburg.
Zelensky deklaroi se operacioni kishte pasur në shënjestër një objektiv legjitim ushtarak, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Ne kemi bërë gjithçka siç duhet”, tha Zelensky për Bloomberg të hënën.
Ai shtoi se çdo anije që lundron nën flamurin rus dhe që transporton armë apo ngarkesa të sanksionuara, të cilat mund të përmbajnë materiale të ndryshme, përbën objektiv legjitim për Ukrainën, qoftë në ujërat territoriale ruse apo në ujërat neutrale.
Anija “Sparta II” është një anije mallrash me flamur rus, në pronësi të kompanisë së transportit Oboronlogistika, e cila, sipas faqes së saj zyrtare, ofron shërbime logjistike për Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.
Presidenti ukrainas tha se sulmi ishte kryer në ujërat territoriale ruse.
“Ne kishim të gjitha të drejtat për ta bërë këtë dhe më pas pati një zhvendosje të caktuar të anijes, ndaj sigurisht që ka edhe pyetje”, u shpreh ai.
Zelensky pranoi se disa prej aleatëve evropianë janë të shqetësuar kur ndodhin incidente në Detin Baltik. Ai tha se u ka kërkuar ministrave dhe ushtrisë ukrainase të komunikojnë më shumë me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që ata të kenë informacione të mjaftueshme dhe të mos përballen me zhvillime të papritura.















