Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet skema e sigurimit në bujqësi, e cila pritet të nisë në janar të vitit 2027. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një vizite në një sipërmarrje bujqësore në fshatin Qinam të Tiranës, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu.
Gjatë vizitës, sipërmarrësi bëri të ditur se mbështetja e përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi i ka mundësuar zgjerimin e eksporteve të ullinjve dhe agrumeve drejt tregut amerikan.
Koçiu theksoi se buxheti i vitit 2027 parashikon 18 miliardë lekë për sektorin e bujqësisë, me synimin për të rritur mbështetjen financiare për fermerët, për të nxitur investimet dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Sipas saj, 5.3 miliardë lekë do të dedikohen për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët dhe agropërpunuesit, ndërsa një pjesë e financimit do të shkojë për investimet në ujitje, kullim dhe përballimin e përmbytjeve.
Zv.kryeministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të standardeve të sigurisë ushqimore dhe modernizimit të laboratorëve, në mënyrë që produktet shqiptare të përmbushin kërkesat e tregut europian.
Nga ana e tij, ministri Andis Salla bëri të ditur se për vitin 2027 janë parashikuar edhe 3 miliardë lekë për skemën e autofaturës, duke dyfishuar fondin e vitit 2026. Përmes kësaj skeme, fermerët do të përfitojnë 10% mbështetje nga qeveria për prodhimet që shesin në treg.
Një tjetër risi, sipas ministrit, është nisja e sigurimit në bujqësi nga janari 2027. Skema do të përfshijë edhe mbështetjen financiare të qeverisë për pagesën e sigurimit, me qëllim mbrojtjen e investimeve të fermerëve dhe uljen e rreziqeve me të cilat përballen aktivitetet bujqësore.

