Gjykata e Lartë ka ndryshuar dënimin për Festim Bexhdilin, ish-kopshtarin e kompleksit “Golden Resort” në Shijak, i akuzuar për përfshirjen në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Me vendimin e fundit, trupi gjykues me relator Genti Shala ka vendosur dënimin e tij me 25 vite burgim, duke ndryshuar kështu vendimin e mëparshëm për burgim të përjetshëm, raporton për Syri-n, Fatjon Gjinaj.
Bexhdili ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 29 shtator 2022. Vendimi ishte lënë në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm, më 20 mars 2023. Megjithatë, në korrik 2024, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit dhe e ktheu çështjen për rigjykim, duke i caktuar kësaj gjykate 35 detyra për t'u shqyrtuar gjatë procesit të ri.
Përplasja mes dy prokurorëve të SPAK për dënimin e kopshtarit
Një nga zhvillimet më të rëndësishme gjatë procesit gjyqësor ishte përplasja mes dy prokurorëve të SPAK, Behar Dibra dhe Elida Kaçkini, të cilët mbajtën qëndrime të ndryshme për përgjegjësinë penale të Bexhdilit.
Në seancën e 11 korrikut 2025, prokurori Behar Dibra kërkoi dënimin e tij me 20 vite burg, duke argumentuar se Bexhdili ishte punonjës i kompleksit dhe ishte gjendur në atë situatë pasi ishte urdhëruar nga persona të tjerë për të ndihmuar në fshehjen e trupit.
Nga ana tjetër, prokurorja Elida Kaçkini kërkoi që të lihej në fuqi burgimi i përjetshëm, duke argumentuar se Bexhdili kishte qenë pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe se përfshirja e tij provohej edhe nga komunikimet në aplikacionin e enkriptuar SKY ECC.
Më 25 korrik 2025, Apeli i Posaçëm vendosi të linte në fuqi burgimin e përjetshëm për Bexhdilin, duke mos pranuar kërkesën për një dënim më të lehtë.
Dëshmia për zhvendosjen e trupit nga resorti
Gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor, një element i rëndësishëm ishte edhe dëshmia e vetë Bexhdilit për atë që kishte ndodhur në ambientet e kompleksit “Golden”.
Në një prej deklarimeve të tij, ai ka treguar se ishte duke pastruar pishinën kur në kompleks mbërriti një automjet tip Range Rover, nga i cili zbritën katër persona të armatosur. Sipas dëshmisë së tij, ata i kërkuan ujë dhe më pas i thanë se në automjet ndodhej një person i vdekur.
Bexhdili ka deklaruar se, nën frikën e personave të armatosur, ndihmoi në kalimin e trupit nga Range Rover-i në një automjet tjetër, të përdorur për furnizimet e kompleksit. Ai ka treguar gjithashtu se personat i kërkuan një kazmë dhe një lopatë, të cilat ua vuri në dispozicion.
Në dëshminë e tij, ishte bërë e ditur se Bexhdili kishte treguar edhe për transportimin e trupit nga ambientet e resortit, duke përmendur Altin Hajrin dhe persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.
Rrëmbimi i Jan Prengës, ngjarja që tronditi vendin
Jan Prenga u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamëz, nga persona të armatosur, në një ngjarje që sipas hetimeve lidhej me zhdukjen e një sasie të madhe kokaine në Britaninë e Madhe. Vëllai i tij, Astrit Prenga, dyshohej se kishte lidhje me çështjen e drogës që ishte bërë shkak për konfliktin me persona të lidhur me rrjetin kriminal.
Pas rrëmbimit, Jan Prenga u dërgua në kompleksin “Golden Resort”, në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit. Pamjet e kamerave të sigurisë të administruara nga hetuesit u kthyen në një nga provat kryesore të dosjes, pasi dokumentonin lëvizjet e personave dhe momentet kur viktima u dërgua në ambientet e kompleksit.
Sipas hetimeve të SPAK, Prenga u dhunua në ambientet e resortit dhe më pas trupi i tij u zhduk. Pavarësisht hetimeve dhe dëshmive të administruara ndër vite, trupi i 49-vjeçarit nuk është gjetur ende.
© SYRI.net