“Mos u mërzit Elisa, tash do të thonë ‘dorëzo mandatin!’”, Marjana Koçeku ironizon përjashtimin e Spiropalit nga grupi i PS-së: Dhi e egër s’kanë si me të thanë

24/11/2026 16:32

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, tashmë e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar me ironi pas vendimit të socialistëve për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i PS-së.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Koçeku i është drejtuar Spiropalit me një mesazh ironik, duke iu referuar edhe mundësisë së heqjes së imunitetit parlamentar.

“Mos u mërzit Elisa, tash do të thonë ‘dorëzo mandatin!’. Nëse nuk e dorëzon, kanë me të heq imunitetin. Dhi e egër s’kanë si me të thanë”, shkruan Koçeku në reagimin e saj.

Reagimi i ish-deputetes vjen pasi grupi parlamentar socialist votoi autorizimin e kryetarit Taulant Balla për të përgatitur dokumentacionin për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Vendimi u mor në një mbledhje ku Spiropali nuk ishte e pranishme. Pro autorizimit votuan deputetët socialistë, ndërsa Bledi Çuçi dhe Erion Braçe abstenuan. Çuçi kishte kërkuar që fillimisht Spiropali të dëgjohej dhe të kishte mundësinë të shpjegonte qëndrimin e saj.

Sipas procedurës parlamentare, vendimi pritet të bëhet i ditur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në seancën e ardhshme plenare.

Nga ana e saj, Elisa Spiropali ka njoftuar se qëndrimin e saj për këtë zhvillim do ta bëjë publik në një konferencë për shtyp, të paralajmëruar për të mërkurën, në orën 11:00, në Kryesinë e Kuvendit.

Me reagimin e saj, Marjana Koçeku i është bashkuar diskutimeve që pasuan përjashtimin e Spiropalit, duke e shoqëruar zhvillimin me një koment ironik për atë që mund të ndodhë në vijim me mandatin dhe imunitetin e saj parlamentar.

Top Channel