Një nismë ligjore e deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që synonte ndalimin me ligj të bojkotit kolektiv të seancave gjyqësore nga avokatët, u rrëzua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Projektligji mori 7 vota kundër, duke mos kaluar në fazat e mëtejshme të shqyrtimit parlamentar.

Nisma e Blushit lidhej drejtpërdrejt me bojkotin disa mujor të seancave në Gjykatën e Posaçme nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në shenjë proteste ndaj rregullores së re të GJKKO-së, e cila ndalon avokatët të mbajnë celularë gjatë seancave gjyqësore.

Sipas deputetit të Partisë së Lirisë, si pasojë e këtij bojkoti janë bllokuar më shumë se 700 seanca gjyqësore, duke krijuar probleme për proceset në ngarkim të personave që ndodhen në paraburgim. Blushi ngriti shqetësimin edhe për rastet kur GJKKO ka pezulluar afatet e paraburgimit për shkak të mos zhvillimit të seancave. Në komision, ai solli në vëmendje veçanërisht edhe procesin gjyqësor ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili, sipas tij, është prekur nga bojkoti në të paktën gjashtë seanca gjatë muajve shtator dhe tetor.

Përmes projektligjit, Blushi propozonte shtimin e dy dispozitave në ligjin për profesionin e avokatit, me synimin për të ndaluar organizimin, urdhërimin apo nxitjen e bojkotit kolektiv të seancave gjyqësore penale dhe civile, kur mospjesëmarrja e organizuar e avokatëve pengon ose ndërpret zhvillimin e proceseve. Ndalimi parashikohej të shtrihej në të gjitha fazat e gjykimit, përfshirë edhe seancat për shqyrtimin e kërkesave që lidhen me masat e sigurisë personale dhe pasurore.

Megjithatë, nisma nuk synonte t'u hiqte avokatëve të drejtën për të mos marrë pjesë në një seancë për shkaqe individuale dhe të justifikuara, sipas legjislacionit procedural. Dallimi bëhej mes ushtrimit individual të të drejtave të mbrojtjes dhe bojkotit të organizuar kolektivisht, që sipas propozimit duhej të ndalohej me ligj.

Një tjetër pikë e projektligjit lidhej me kompetencat e organeve drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe dhomave vendore. Këto struktura nuk do të mund të miratonin vendime, akte apo udhëzime që urdhërojnë, organizojnë ose nxisin bojkotin kolektiv të seancave gjyqësore. Po ashtu, përgjegjësia disiplinore e avokatëve do të vlerësohej individualisht dhe jo mbi bazën e vendimeve kolektive të strukturave drejtuese. Këto të fundit nuk do të mund të përdoreshin si shkak për nisjen e procedimeve disiplinore apo marrjen e masave ndaj avokatëve, deri në pezullimin e licencës ose heqjen e titullit profesional.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin edhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, dhe kreu i Dhomës së Avokatisë së Tiranës, Klodian Skënderaj, të cilët e kundërshtuan projektligjin. Ata argumentuan se përplasja me Gjykatën e Posaçme nuk kishte gjetur zgjidhje përmes dialogut institucional, pasi, sipas tyre, kërkesat për diskutim kishin hasur në mungesë reagimi nga institucionet, përfshirë edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Seancat gjyqësore në GJKKO u bojkotuan nga 8 shtator deri më 2 nëntor dhe mungesa e avokatëve përveçse solli bllokim të seancave, pasoi me vendosjen e gjobave nga gjykata.