Dy persona janë arrestuar nga policia britanike, nën dyshimin për vjedhje me thyerje, pas një incidenti të raportuar në rezidencën Anmer Hall, në Norfolk të Anglisë, që përdoret nga Princi William dhe Princesha Kate Middleton.
Sipas Policisë së Norfolkut, arrestimet u kryen pas një ngjarjeje të ndodhur të hënën në mbrëmje në pronën që ndodhet brenda territorit privat mbretëror të Sandringhamit.
Anmer Hall është një rezidencë me 10 dhoma, e cila iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II dhe shërben si shtëpia e tyre e pushimit në fshat, larg angazhimeve zyrtare dhe vëmendjes publike.
William dhe Kate, së bashku me tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, jetojnë kryesisht në Forest Lodge, në Windsor, të cilën e kanë zgjedhur si rezidencën e tyre të përhershme.
Megjithatë, Anmer Hall ka një rëndësi të veçantë për familjen mbretërore. Aty çifti kaloi një periudhë të tërhequr nga jeta publike, pas njoftimit të Princeshës Kate për diagnozën e kancerit dy vite më parë.
Rezidenca është një ndërtesë e stilit gjeorgjian, e ndërtuar me tulla të kuqe dhe e pozicionuar në një zonë të izoluar të pronës mbretërore Sandringham, pranë Sandringham House.
Ndërkohë, një ditë pas incidentit, Princi William u fotografua gjatë një vizite në Downing Street 10, në kuadër të angazhimeve të tij publike.
Deri më tani, autoritetet britanike nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e incidentit apo nëse në momentin e ngjarjes familja mbretërore ndodhej në rezidencë.

