DURRES- Rreth dy muaj pas nisjes së parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet e qytetit, Këshilli Bashkiak miratoi vetëm me votat e maxhorances krijimin e “Durrës Parkim”.

Kjo strukturë e re në varësi të Bashkisë, do të ketë 20 punonjës që do merren me administrimin e hapësirave të parkimit. Me herët keshilli miratoi dhe shtimin e 20 efektivë të Policisë Bashkiake për gjobat.

Sipas bashkiakëve parkimi në rrugë e sheshe po ecën në mënyrë progresive ndaj ishte i nevojshëm ky vendim.

Opozita votoi kundër, me argumentin se administrata vendore është e fryrë dhe jo eficente me afro 2 mije punonjës në total. Per “Durres parkim” keshilltarët e djathtë kërkuan që të mos behen punesime te reja, por të angazhohet stafi aktual i Bashkisë.

“Ne jemi dakord të krijohet ky sektor me punonjës aktual, sepse në bashkia ka njerëz parazit që marrin rrogat, duke qendruar jashtë vendit”.

“Ne vitin 2015, kur Durrësi kishte një popullsi më të madhe se sot, bashkia numëronte 950 punonjës,sot kur popullsia është tkurrur ky numër është 2000”, thanë ata.

Në zonën A, që është qendra e Durrësit tarifa e parkimit është 100 lekë për orë, ndërsa në zonën B është 40 lekë për orë. Për parkimin në sheshet publike, pagesat variojnë nga 100 deri në 500 lekë, në varësi të kohëzgjatjes së qëndrimit. Për rezidentët është abonimi vjetor prej 10 mijë lekësh.