Ndryshimi i klimës politike në Kuvendin e Serbisë nuk mjafton që deputeti shqiptar Shaip Kamberi t’i besojë plotësisht shumicës së re parlamentare. Sipas tij, retorika e saj për Kosovën ka mbetur e njëjtë.
Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Kamberi tha se pritet të bëhen publike së shpejti të gjitha marrëveshjet e lidhura mes Serbisë dhe Kosovës, por shprehu pikëpyetje rreth synimit të këtij publikimi.
Të lidhura
None found
“Nuk mund të kemi një besim të plotë në një shumicë të re, e cila, sa i përket Kosovës, nuk e ka ndërruar retorikën. Do të shohim a është një retorikë e momentit apo është një drejtim strategjik politik i tyre”, deklaroi ai.
Kamberi tha se mbetet e paqartë nëse publikimi i marrëveshjeve bëhet për të diskredituar më tej presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, apo për t’i anuluar ato.
“A është një strategji e diskreditimit të Vuçiqit edhe më tej apo tentohet që ato marrëveshje në Parlament të sillen dhe të anulohen, mbetet të shohim”, shtoi deputeti.
Sipas Kamberit, për shqiptarët e Luginës së Preshevës ka rëndësi nëse pushteti i ri është i gatshëm të respektojë kërkesat politike të paraqitura në dokumentin shtatëpikësh dhe marrëveshjet e tjera me Serbinë.







