Polonia akuzon Rusinë për shkelje të qëllimshme të hapësirës ajrore, rriten frikën për përshkallëzim të luftës në Ukrainë
Polonia ka akuzuar të martën Moskën për shkelje të qëllimshme të hapësirës së saj ajrore, pasi njoftoi se një dron rus zbulimi kishte kaluar për një kohë të shkurtër kufirin polak.
Incidenti pritet të shtojë shqetësimet për përhapjen e luftës në Ukrainë përtej kufijve të saj.
Ambasada ruse në Varshavë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment lidhur me këtë çështje, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Një varg incidentesh të ditëve të fundit ka shtuar frikën për përshkallëzim të konfliktit përtej Ukrainës, ku Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë në vitin 2022.
Të hënën, Moska akuzoi Estoninë, shtet anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, për një sërë veprimesh armiqësore që, sipas saj, janë “në prag të shkaktimit të një lufte të hapur”. Kjo erdhi pasi Estonia njoftoi mbylljen e kufirit tokësor me Rusinë.
Ndërkohë, Varshava deklaroi se të premten tri raketa ruse të tipit Kh-101 kishin rënë në territorin polak.
Të shtunën, një anije mallrash ruse me lidhje me ushtrinë u godit nga dronë dhe mori flakë në Detin Baltik, në atë që Finlanda e cilësoi si një sulm të mundshëm ukrainas.
Të dielën, Ukraina fundosi një korvetë të marinës ruse në një port të Libisë, duke përdorur dronë detarë.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimin te qytetarët polakë për mundësinë e zgjerimit të konfliktit.
“Fatkeqësisht, ndihem e kërcënuar. Çdo mëngjes, kur i ndez lajmet, dëgjoj nëse ka pasur sulme të tjera. Shkon të flesh natën, por nuk e di kurrë se me çfarë do të zgjohesh apo çfarë mund të ndodhë”, tha Grazyna Lewandowska, një pensioniste nga Varshava.
“Dyshoj se, në njëfarë mënyre, kjo është një provokim nga Rusia – një test për të parë se si reagojnë qytetarët tanë, nëse do të kundërpërgjigjemi apo thjesht do të rrimë duarkryq dhe do ta shikojmë atë që po ndodh”, shtoi ajo.















