SHKODER- Një ditë më parë, një operacion i policisë së Shkodrës nxorri pah një laborator të prodhimit të lëndës narkotike kanabis sativa, pikërisht në fshatin Ganjollë. Fshati Ganjollë gjendet pak kilometra larg Shkodrës, jo i njohur për kultivimin e kanabis sativës në të shkuarën. Në tunelet nëntokësore u sekuestruan 2,600 bimë të kultivuara në vazo dhe 170 kilogramë kanabis i përpunuar, i ambalazhuar në 10 thasë plastikë.

Brenda këtyre ambienteve, policia arrestoi 10 punëtorë, mes të cilave edhe 2 gra, burra dhe të rinj. Të gjithë nga qytetet e tjera, nga Gjirokastra deri në Mirditë, të punësuar për t’u kujdesur për bimët narkotike.

Ky është rasti i katërt kur salla të mbyllura me neon përdoren për kultivimin e kanabis. Kemi pasur raste të regjistruara një vit më parë në Malësinë e Madhe dhe në Bërdicë, ndërkohë që vitin e kaluar kishte një tjetër rast dhe në afërsi të qytetit të Shkodrës.

Njësia Guri i Zi në territorin e bashkisë së Shkodrës njihet për kultivimin dhe prodhimet bujqësore. Megjithatë jashtë kamerave vetë banorët pranojnë që fenomeni i kultivimit të kanabis po përhapet dhe në këtë zonë.

Ata nuk pranojnë të prononcohen e aq më pak të tregojnë nëse dhe më herët ata kanë vërejtuar lëvizje në zonë të personave nga qytete të tjera të Shqipërisë

Hetuesit po verifikojnë se kush e kishte në përdorim magazinën dhe nëse pas financimit e organizimit të aktivitetit qëndronte një grup i organizuar.

Këtë të martë, policia njoftoi procedimin penal për 5 punonjës të OSHEE-së. Kultivimi i kanabisit në mjedise të mbyllura, përmes llampave të fuqishme, kërkon një konsum të lartë të energjisë që nuk mund të mos bjerë në sy. Pikërisht për këtë arsye bashkëpunimi me punonjës të OSHEE-së, është i pashmangshëm për lidhjet e jashtëligjshme.

Burimet pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se pikërisht për hetimin e këtij rasti më shumë se tre muaj është punuar në rrugë proaktive dhe hetime speciale derisa ranë në gjurmët e laboratorit në Ganjollë.