“Shtëpitë e barit” në tunelet e fshatit Ganjollë, pas 10 arrestimeve, nisin hetimet ndaj 5 punonjësve të OSHEE-së Shkodër
Policia e Shkodrës ka vijuar hetimet e thelluara në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, duke proceduar penalisht 5 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në Shkodër, të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, procedimi penal vjen në vijim të kontrolleve të ushtruara një ditë më parë në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë. Gjatë asaj ndërhyrjeje, efektivët zbuluan dy objekte të nëndheshme, ku njëri prej tyre ishte “një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e bimëve të dyshuara narkotike dhe për përpunimin e lëndës së dyshuar narkotike”. Nga ky operacion u sekuestruan 170 kilogramë lëndë narkotike, u asgjësuan 2,600 bimë narkotike dhe u vunë në pranga 10 shtetas.
Pas veprimeve të mëtejshme hetimore mbi furnizimin me energji elektrike të këtyre ambienteve të përshtatura, policia referoi materialet në Prokurori duke nisur procedimin penal ndaj shtetasve me iniciale:
- J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz;
- K. F., 42 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri;
- L. H., 65 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi;
- Gj. M., 53 vjeç, banues në fshatin Juban;
- D. D., 43 vjeç, banues në fshatin Kosmaç.
Materialet procedurale në ngarkim të pesë punonjësve të OSHEE-së iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e hetimeve mbi akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




