Laboratori i drogës në Shkodër, 5 punonjës të OSHEE procedohen për shpërdorim detyre
Zbulimi i laboratorit të drogës në Shkodër ka sjellë pasoja edhe për pesë punonjës të OSHEE-së, të cilët janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në vijim të hetimeve për operacionin e koduar “Labirinti”.
Bëhet fjalë për pesë punonjës të identifikuar me inicialet J. D., 43 vjeç, K. F., 42 vjeç, L. H., 65 vjeç, Gj. M., 53 vjeç dhe D. D., 43 vjeç. Ata janë banorë të Fushë-Arrëzit dhe fshatrave Hot i Ri, Gur i Zi, Juban dhe Kosmaç.
Procedimi ndaj tyre vjen pas zbulimit të dy ambienteve nëntokësore në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, të përshtatura për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara një ditë më parë, policia sekuestroi 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësoi 2 600 bimë kanabisi dhe arrestoi 10 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal.
Në vijim të hetimeve, Policia e Shkodrës ka referuar materialet procedurale në Prokurori edhe për pesë punonjësit e OSHEE-së, për të cilët dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Dosja i është përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ku do të vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



