E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
FBI i zbulon 2.7 milionë karta bankare, 21-vjeçari nga Kosova ekstradohet në SHBA
Lajme

FBI i zbulon 2.7 milionë karta bankare, 21-vjeçari nga Kosova ekstradohet në SHBA

Një operacion ndërkombëtar i FBI-së ka çuar në ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara të një 21-vjeçari nga Kosova, i dyshuar për përfshirje në një skemë të gjerë të vjedhjes dhe shitjes së të dhënave bankare në internetin e errët.

Hektor Avdyli është dërguar në Milwaukee, në shtetin e Wisconsin, ku do të përballet me tetë akuza federale. Sipas autoriteteve amerikane, ai dyshohet se ka siguruar dhe tregtuar të dhënat financiare të miliona qytetarëve përmes platformave të Dark Web.

Hetimet federale zbuluan se aktiviteti i dyshuar kriminal kishte nisur në mars të vitit 2024 dhe kishte vijuar deri në janar 2025, periudhë kur Avdyli ishte vetëm 19-20 vjeç.

Prokurorët pretendojnë se i riu përdorte identitete të ndryshme për të reklamuar dhe shitur informacionet bankare, ndërsa pretendonte se i siguronte ato përmes programeve keqdashëse të përdorura kundër faqeve të tregtisë elektronike.

Për të dokumentuar aktivitetin, agjentët e FBI-së u infiltruan në rrjet si klientë. Ata arritën të blinin nga Avdyli më shumë se 27 mijë numra kartash krediti, të shoqëruar me kode sigurie dhe të dhëna personale, përfshirë emra, adresa banimi, numra telefoni dhe adresa elektronike.

Rreth 300 persona të identifikuar në materialet e siguruara rezultonin të kishin adresë banimi në Wisconsin.

Por, gjatë ekzaminimit të një prej disqeve kompjuterike të sekuestruara, hetuesit zbuluan një sasi shumë më të madhe informacioni. Bëhet fjalë për rreth 2.7 milionë numra kartash krediti, debiti dhe kartash dhuratë, të shoqëruara me të dhëna personale të mbajtësve të tyre.

Aktakuza ndaj 21-vjeçarit ishte ngritur në mënyrë konfidenciale që në tetor të vitit 2025, ndërsa arrestimi i tij u realizua në korrik 2026 në Kosovë, me kërkesë të FBI-së dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, më 19 nëntor Avdyli u transportua në Shtetet e Bashkuara, me asistencën e Shërbimit Federal të Marshallëve. Një ditë më pas, ai doli përpara gjyqtarit federal William E. Duffin, i cili vendosi që 21-vjeçari të qëndrojë në paraburgim deri në zhvillimin e gjyqit.

Tetë akuzat federale me të cilat përballet përfshijnë:

  • Katër akuza për mashtrim përmes komunikimeve elektronike.

  • Dy akuza për mashtrim me instrumentet e pagesave.

  • Dy akuza për vjedhje të rënduar të identitetit.

Në rast se shpallet fajtor, vetëm akuzat për mashtrim elektronik parashikojnë deri në 20 vite burg për secilën. Ndërsa akuzat për vjedhje të rënduar të identitetit parashikojnë dënime të detyrueshme shtesë me burgim.

Zëvendësprokurori federal Brad D. Schimel e cilësoi arrestimin si një ngjarje të rëndësishme, duke vënë në dukje përmasat e jashtëzakonshme të informacionit financiar që dyshohet se dispononte i riu.

Nga ana tjetër, drejtuesi i FBI-së në Milwaukee, Alan Karr, paralajmëroi personat që kryejnë krime kibernetike kundër qytetarëve amerikanë nga jashtë vendit, duke deklaruar: “Drejtësia nuk njeh kufij; ajo do t’ju gjejë”.

Çështja po ndiqet nga prokurori federal Benjamin Proctor. Deri më tani, autoritetet amerikane nuk kanë bërë publike shumën që Avdyli dyshohet se ka përfituar nga aktiviteti, numrin e përgjithshëm të viktimave apo dëmin financiar të shkaktuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.