Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me shpërthimin me tritol në një kafene në zonën Nea Ionia të Athinës.
Sipas mediave greke, pronar është shqiptari Aleko Kanani. Autoritetet greke po hetojnë dyshimet se sulmi mund të jetë pjesë e një konflikti mes grupeve kriminale, ndërsa në fokus janë vendosur edhe dy incidente të tjera të lidhura me biznese që i përkasin të njëjtit person.
Sipas raportimeve të mediave greke, shpërthimi ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit të 24 nëntorit, në një lokal që ndodhet në rrugën Sinopis. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar dy persona të veshur me të zeza dhe me helmeta, të cilët mbërritën në vendngjarje me një motoçikletë. Njëri prej tyre zbriti, theu xhamin e kafenesë dhe vendosi brenda mekanizmin shpërthyes, i cili detonoi disa minuta më vonë.
Shpërthimi ishte tepër i fuqishëm dhe shkaktoi shkatërrimin pothuajse të plotë të lokalit, ndërsa dëme të konsiderueshme u regjistruan edhe në bizneset përreth, banesat dhe automjetet e parkuara. Vala goditëse preku edhe objekte që ndodheshin rreth 20 metra larg vendit të shpërthimit. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar.
Hetuesit po verifikojnë nëse ngjarja lidhet me një tjetër sulm të regjistruar më 13 nëntor ndaj një biznesi që, sipas raportimeve, është gjithashtu në pronësi të Kananit. Bëhet fjalë për një lavazh makinash në rrugën Liosion, në qendër të Athinës.
Në kuadër të hetimeve po shqyrtohet edhe një sulm me armë zjarri ndaj së njëjtës kafene, i ndodhur gjatë vitit 2025, kur lokali kishte një pronar tjetër. Ky precedent ka ngritur pikëpyetje te autoritetet greke nëse biznesi ka qenë vazhdimisht objekt i përplasjeve mes personave të përfshirë në aktivitet kriminal.
Sipas raportimeve, hetimet po drejtohen nga departamenti kundër zhvatjes, i cili po shqyrton dy pista kryesore: një larje të mundshme hesapesh mes grupeve kriminale ose vendosjen e gjobave ndaj bizneseve përmes të ashtuquajturës skemë e “mbrojtjes”.
Ndërkohë, policia po analizon pamjet filmike për të identifikuar autorët dhe për të rindërtuar lëvizjet e tyre para dhe pas shpërthimit.
Deri më tani, autorësia dhe motivi i sulmit nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse shpërthimi lidhet me konfliktet e dyshuara kriminale apo me tentativa për zhvatje ndaj bizneseve.














