Një vajzë 13-vjeçare nga Shkodra u gjet nga Policia në Tiranë një javë pasi ishte larguar nga familja dhe ka dyshime të forta se mund të jetë abuzuar seksualisht.
Sipas burimeve policore, pas largimit nga Shkodra, e mitura mund të ketë lëvizur në disa qytete derisa ka përfunduar në Tiranë. Katër persona të cilët dyshohet se mund të kenë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën janë arrestuar në Shkodër dhe një hetim i gjerë po bëhet për të zbuluar vendet në të cilat vajza ka qenë. Dyshohet që ajo të ketë udhëtuar duke përdorur autobus apo taksi.
Vajza jetonte me nënën në Shkodër, ndërsa babai i saj ndodhet në burg. Ajo ka lindur në SHBA, dhe prej vitesh familja është kthyer në atdhe. Duke qenë se vajza ka shtetësi amerikane, hetimet po asistohen edhe nga Ambasada e SHBA-ve.
E mitura u largua nga Shkodra pasi kishte shkuar në shkollën private që e frekuentonte prej 4 vitesh nga kthimi në Shqipëri. Pasi u gjet në Tiranë deklaroi në polici se është abuzuar seksualisht nga të rritur në disa qytete të Shqipërisë.
13-vjeçarja po merr kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike në një qendër sociale.
Hetimet pritet të zbardhin nëse e vogla që jetonte vetëm me nënën dhe me babanë në burg, të jetë shfrytëzuar për prostitucion.





Komente
Komento