Nicolas Sarkozy, ish-president i Francës, dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të dalin sërish përpara drejtësisë franceze.
Prokurorët në Paris kanë kërkuar që çifti të gjykohet në kuadër të hetimeve për manipulim dëshmitarësh dhe përfshirje në një komplot kriminal, që dyshohet se synonte mashtrim të organizuar.
Të lidhura
None found
Dosja, e njohur në Francë me emrin “Sauver Sarko”, ka në qendër tërheqjen e akuzave ndaj Sarkozy-t nga ndërmjetësi franko-libanez Ziad Takieddine, në nëntor të vitit 2020. Sipas dyshimeve të hetuesve, ndryshimi i qëndrimit mund të jetë bërë kundrejt pagesës së parave.
Takieddine, i cili më vonë ndërroi jetë, ishte një dëshmitar kyç në çështjen për financimin e dyshuar të fushatës presidenciale të Sarkozy-t më 2007 nga ish-diktatori libian Muammar Gaddafi.
Kur tërhoqi deklaratat, ndërmjetësi ndodhej në Bejrut, ku ishte larguar pas dënimit në një çështje tjetër. Nga atje, ai dha një intervistë për revistën “Paris Match” dhe televizionin BFMTV, duke mohuar akuzat e mëparshme ndaj Sarkozy-t. Ai pretendoi se hetuesi Serge Tournier ia kishte shtrembëruar fjalët gjatë marrjes në pyetje.
Pas transmetimit dhe publikimit të intervistës, Sarkozy u shpreh se “e vërteta më në fund po zbulohet”. Por hetimet e nisura më 2021 nga autoritetet franceze kundër korrupsionit dhe krimeve financiare ngritën dyshime se deklaratat e Takieddine nuk ishin të sinqerta dhe mund të ishin pjesë e një përpjekjeje për të ndikuar në procesin gjyqësor.
Gjithsej, 11 persona pritet të dalin para Gjykatës Penale të Parisit. Sipas planifikimit aktual, gjyqi do të zhvillohet nga 3 nëntori deri më 2 dhjetor 2027.
Sarkozy dhe Bruni akuzohen për “komplot për kryerjen e mashtrimit nga një grup i organizuar kriminal” dhe për “mbulim të ryshfetit ndaj një dëshmitari”.
Mes personave që do të gjykohen është edhe Michelle Marchand, e njohur si “Mimi Marchand”. Ajo përballet me akuza për manipulim dëshmitarësh, pjesëmarrje në komplotin kriminal për mashtrim dhe përgatitje të ryshfetit ndaj zyrtarëve të huaj të drejtësisë.
Avokatët e Sarkozy-t, Bruni-t dhe Marchand nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të mediave për të komentuar.
Procesi i ri nis vetëm pak ditë para se Gjykata e Apelit në Francë të shpallë vendimin për dhjetë të pandehur, mes tyre Sarkozy-n, në çështjen për financimin e dyshuar të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i Muammar Gaddafit në Libi.







