Deri në 75 për qind e modeleve të ardhshme evropiane të “Volkswagenit” mund të pajisen me një arkitekturë elektronike të zhvilluar në Kinë. Kompania po e shqyrton seriozisht këtë mundësi për teknologjinë e krijuar në bashkëpunim me kompaninë kineze Xpeng. Propozimi ka mbështetjen personale të drejtuesit të markës “Volkswagen”, Thomas Schäfer.
Plani përfshin shumicën e modeleve të ardhshme të markave “Volkswagen”, “Shkoda” dhe “Cupra”. Arkitektura, e njohur si CEA (China Electronic Architecture), është zhvilluar për automjetet e tregut kinez, por mund të përdoret edhe si bazë e sistemeve elektronike në makinat evropiane. Mes modeleve të mundshme janë “Golfi” i ardhshëm elektrik, “Passat”-i dhe “Shkoda Enyaq”.
Të lidhura
None found
CEA nuk është një platformë automobilistike që përfshin shasinë, pezullimin apo transmisionin. Ajo është arkitektura elektrike dhe elektronike që lidh kompjuterët, sensorët, pajisjet e sigurisë, sistemin e infotainmentit dhe pjesët e tjera elektronike të makinës. Përdorimi i saj është i mundur si në automjete elektrike dhe hibride, ashtu edhe në modele me motorë klasikë.
Kostoja është përparësia kryesore e kësaj zgjidhjeje. Sipas “Volkswagenit”, CEA mund të ulë me rreth 30 për qind numrin e njësive të kontrollit elektronik, duke e bërë projektimin më të thjeshtë dhe zhvillimin më të shpejtë. Mediat gjermane raportojnë se përdorimi i saj në modelet evropiane mund t’i kursejë kompanisë katër deri në pesë miliardë euro.
Zgjedhja e CEA-s për Evropën do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm të strategjisë së prodhuesit gjerman. Për tregjet perëndimore, “Volkswageni” ka punuar me kompaninë amerikane Rivian për një arkitekturë tjetër elektronike, në kuadër të një partneriteti prej 5.8 miliardë dollarësh. Ndërkohë, divizioni i tij i softuerëve, Cariad, është përballur prej vitesh me vonesa, kosto të larta dhe vështirësi në zhvillimin e sistemeve të reja.
Schäfer ka konfirmuar se përdorimi i arkitekturës kineze në Evropë po merret seriozisht në shqyrtim, por vendimi përfundimtar nuk është marrë. Një pengesë mbetet përshtatja e saj me rregulloret evropiane, sidomos ato për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave. Kjo mund të pakësojë një pjesë të kursimeve që ofron zgjidhja kineze.







