Një vajzë 13-vjeçare nga Shkodra, e cila ishte larguar nga familja prej rreth një jave, është gjetur nga Policia në Tiranë. E mitura ka deklaruar se është abuzuar seksualisht, ndërsa në kuadër të hetimeve janë arrestuar të paktën katër persona dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas burimeve policore, pas largimit nga Shkodra, vajza dyshohet se ka lëvizur në disa qytete të vendit, përpara se të gjendej në Tiranë. Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e saj dhe vendet ku ka qëndruar gjatë kësaj periudhe. Dyshohet se ajo ka udhëtuar me autobusë ose taksi.
E mitura jetonte me nënën në Shkodër, ndërsa babai i saj ndodhet në burg. Vajza ka lindur në Shtetet e Bashkuara dhe familja është kthyer prej vitesh në Shqipëri. Për shkak të shtetësisë amerikane të 13-vjeçares, hetimet po asistohen edhe nga Ambasada e SHBA-së.
Pas gjetjes, e mitura ka deklaruar në polici se është abuzuar seksualisht nga persona të rritur në disa qytete të Shqipërisë. Ajo po merr kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike në një qendër sociale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të verifikuar dyshimet nëse e mitura mund të jetë shfrytëzuar për prostitucion.