Champions League rikthehet me 9 sfida, De Bruyne në “Etihad” si kundërshtar

24 Nëntor 2026 | 07:08

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me ndeshjet e javës së pestë të fazës së ligës, ku në program janë nëntë përballje. Vëmendja kryesore është te sfidat Arsenal–Borussia Dortmund dhe Manchester City–Napoli, ndërsa Aston Villa luan në transfertë ndaj Galatasaray.

Kevin De Bruyne rikthehet në stadiumin “Etihad”, këtë herë si kundërshtar i Manchester Cityt, me fanellën e Napolit.

Belgu, i cili kaloi një periudhë të gjatë te skuadra angleze, u shpreh se do të dëshironte të tregonte se ende mund të luajë në nivele të larta futbolli.

“Do të ishte bukur t’u tregoja njerëzve se ende mund të luaj futboll”, deklaroi De Bruyne, duke iu referuar rikthimit në stadiumin ku kaloi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij.

Ai pranoi se fillimisht nuk kishte dëshirë të rikthehej për të luajtur kundër ish-skuadrës, por tashmë e sheh këtë përballje si një mundësi për të treguar vlerat e tij.

Doku: Nuk ka zgjidhje magjike për problemet e Manchester Cityt

Në prag të ndeshjes me Napolin, Jeremy Doku foli për vështirësitë që po kalon Manchester City, duke theksuar se skuadra duhet të përmirësohet si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.

“Nuk ka ndonjë zgjidhje magjike. Duhet të mbrohemi mirë, të sulmojmë mirë, të shënojmë më shumë gola dhe të pësojmë më pak. E dimë që mund të bëjmë më mirë dhe po punojmë për këtë”, u shpreh belgu.

Ai foli edhe për përballjen me ish-shokun e skuadrës, Kevin De Bruyne, duke thënë se ai meriton një pritje të ngrohtë nga tifozët e Manchester Cityt për gjithçka që ka dhënë për klubin.

“Jam i lumtur që është rikthyer. Shpresoj vetëm të mos luajë shumë mirë kundër nesh”, tha me humor Doku.

Arsenal pa David Rayën, Dortmund rikuperon dy lojtarë

Në kampin e Arsenalit, lajmi kryesor është mungesa e portierit David Raya, i cili nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një dëmtimi në shpatull.

Trajneri Mikel Arteta kishte bërë të ditur se dëmtimi nuk rezultonte aq serioz sa ishte menduar fillimisht, por portieri nuk është ende gati për të luajtur.

Arsenali do të vuajë gjithashtu mungesën e Bukayo Sakës dhe Martin Zubimendit, ndërsa Borussia Dortmundi ka marrë lajme pozitive për Carney Chukwuemekan dhe Serhou Guirassyn, të cilët janë rikthyer në dispozicion.

Trajneri i Dortmundit, Niko Kovac, u shpreh se të dy lojtarët mund të aktivizohen, por vendimi përfundimtar do të merret para ndeshjes.

Nwaneri mund të luajë kundër Arsenalit

Një tjetër detaj interesant i kësaj përballjeje është mundësia që Ethan Nwaneri të luajë kundër klubit që zotëron kartonin e tij.

19-vjeçari është huazuar te Borussia Dortmundi dhe, ndryshe nga rregullat që zbatohen në Premier League, rregulloret e UEFA-s nuk e ndalojnë aktivizimin e tij kundër Arsenalit në Champions League.

Arteta ka komentuar edhe ecurinë e mesfushorit, duke theksuar se ai duhet të fitojë vendin në formacion përmes paraqitjeve të tij, pavarësisht se vjen nga akademia e Arsenalit.

Pochettino kërkon të rikthejë Manchester Unitedin në rrugën e fitoreve

Ndërkohë, Manchester United përgatitet për ndeshjen e radhës në Champions League ndaj Sportingut, me trajnerin e ri Mauricio Pochettino që kërkon të lërë pas një debutim të vështirë.

Argjentinasi e nisi aventurën në stolin e “Djajve të Kuq” me një humbje të rëndë 4-0 ndaj Liverpoolit të dielën.

TNT Sports rikujton gjithashtu rrugëtimin e Pochettinos drejt finales së Champions League në vitin 2019, kur Tottenham përmbysi Ajaxin në gjysmëfinale dhe siguroi një vend në finalen e Madridit, ku më pas u mposht nga Liverpooli.

Sipas raportimit të The Times, një tjetër shqetësim për Manchester Unitedin është reparti ofensiv. Klubi pritet të shqyrtojë mundësinë e afrimit të një sulmuesi në merkaton e janarit, pasi Benjamin Sesko pritet të mungojë të paktën deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Një prej emrave që përmendet është Folarin Balogun i Monacos, i cili dëshiron të punojë sërish me Pochettinon, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë kohës kur argjentinasi drejtonte përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara.

Nëntë ndeshjet e mbrëmjes

17:45 – Bodo/Glimt – LASK

17:45 – Galatasaray – Aston Villa

20:00 – Arsenal – Borussia Dortmund

20:00 – Como – AEK Athinë

20:00 – Feyenoord – Porto

20:00 – Manchester City – Napoli

20:00 – RB Leipzig – Lens

20:00 – Real Madrid – PSV Eindhoven

20:00 – Slovan Bratislava – Real Betis

Standings provided by Sofascore
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rey Manaj ndërpret kontratën me Sivassporin: Nuk përmbushën detyrimet financiare dhe premtimet

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me klubin turk Sivasspor. Përmes një deklarate të publikuar në një story në profilin...
17:47 | 24/11/2026

Ekstradimet nga Dubai tronditin botën e krimit, të kërkuarit ndërkombëtarë po kërkojnë streha të reja

Arrestimet dhe ekstradimet e bujshme në Dubai po ndryshojnë klimën për personat e kërkuar ndërkombëtarisht, të cilët prej vitesh kishin gjetur strehë në Emiratet e...
16:48 | 24/11/2026

“Mëso të sillesh me njerëzit”, Balla përplaset me Zhupën: Mbledh firma dhe të shkarkoj

Diskutimet për projektligjin “Për sponsorizimet” në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën janë shoqëruar me debate mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant...
16:05 | 24/11/2026