Rey Manaj ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me klubin turk të Sivassporit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë sulmuesi i Kombëtares shqiptare përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka shpjeguar se vendimi erdhi pas mosshlyerjes së detyrimeve financiare nga ana e klubit dhe mungesës së reagimit ndaj paralajmërimeve të tij.
Manaj shkruan se u transferua te Sivasspor me synimin për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në Superligën turke, por kushtet e nevojshme për realizimin e këtij objektivi nuk u krijuan.
Ai thekson se gjatë muajve të fundit i ka dhënë klubit disa mundësi për të përmbushur detyrimet, duke i kërkuar zyrtarisht në disa raste që të kryente pagesat brenda një afati prej 15 ditësh. Megjithatë, sipas futbollistit, pagesat nuk u kryen dhe premtimet e drejtuesve nuk u mbajtën.
“Erdha te Sivasspor me një qëllim: të ndihmoja në rikthimin e klubit aty ku e kishte vendin, në Superligë, dhe të isha pjesë e atij projekti ambicioz. Fatkeqësisht, skuadra dhe kushtet e nevojshme për të arritur këtë qëllim nuk u krijuan kurrë. Pas një periudhe të gjatë durimi, u detyrova të marr një nga vendimet më të vështira të karrierës sime: të ndërpres kontratën me Sivassporin”, shkruan Manaj.
Sulmuesi shqiptar e cilëson këtë një vendim që i ka shkaktuar dhimbje, pasi shprehet se ka dhënë gjithçka për fanellën e klubit turk. Ai nuk ka harruar as tifozët, të cilët i falënderoi për mbështetjen që i kanë dhënë që nga dita e parë.
“Kjo më thyen zemrën. Sivasspor ka qenë shtëpia ime dhe në fushën e lojës kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Për tifozët e Sivassporit: më keni mbështetur nga dita e parë e deri në të fundit. Dashuria dhe respekti juaj vlejnë për mua më shumë sesa mund ta shprehin fjalët. Edhe pse sot rrugët tona ndahen, Sivasspor do të mbetet gjithmonë në zemrën time dhe unë do të mbetem gjithmonë një mbështetës i këtij klubi. Faleminderit për gjithçka”, përfundon reagimin e tij Manaj.













