Pedagogu dhe aktivisti Ermal Hasimja është përballur sot me një incident në aeroportin e Rinasit, ku është ndaluar nga policia gjatë procedurave të kontrollit të pasaportës, teksa po përgatitej të udhëtonte.

Në një reagim publik, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari e cilëson këtë ngjarje si një tjetër dëshmi të mënyrës se si funksionon shteti nën drejtimin e Edi Ramës, ku qytetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me trajtim të diferencuar.

Muçollari thekson se Hasimja nuk është një person që ka shkelur ligjin, por një intelektual dhe zë publik që ka qenë aktiv në protestat kundër korrupsionit, në mbështetje të kërkesave të të rinjve dhe studentëve, si dhe në debatet televizive ku ka kritikuar qeverinë.

Reagimi i plotë:

Një ndodhi në aeroport që tregon portretin e autokratit

Pedagogu dhe aktivisti i njohur Ermal Hasimja ka përjetuar një moment diskreditimi dhe tërheqjeje veshi sot në aeroportin e Rinasit, teksa po kalonte atë momentin e pasaportës për të udhëtuar.

Polici e ka veçuar dhe e ka ndaluar të kalojë, njësoj sikur të kishte të bënte me një person problematik, që ka shkelur ligjin, që është në kërkim, apo ndaj të cilit ka një vendim gjykate, apo që dyshohet për krime të rënda.

Diçka Ermal Hasimja ka bërë. Ai ka qenë i rregullt në protestën kundër korrupsionit, ku kërkohet largimi i Edi Ramës. Gjithashtu, është një zë publik në mbështetje të kërkesave të rinisë dhe studentëve. Po ashtu, kritik me qeverinë në debatet televizive.

Tani, me siguri, do të ketë shpjegime e justifikime nga autoritetet, pasi u ka ngelur në dorë një patate e nxehtë. Por e vërteta është kjo: kur nuk je simpatik për regjimin, të ndodhin incidente me shtetin.

Imagjino një moment një tjetër intelektual apo analist që qëndron në rreshtin tjetër, që mbron qeverinë, që thur lavde për Edi Ramën, që del kundër opozitës dhe Partisë Demokratike. Përfytyro lehtësitë dhe privilegjet që merr ai në çdo zyrë të qeverisë. Ai është në kushtet: hap gojën, çfarë dëshiron! Me siguri, po të dojë, i sigurohet edhe kalim i privilegjuar nga salla VIP për në avion.

Kjo diferencë është evidente sot. Ndaj ndodhia në aeroport nuk është aspak rastësi, as e padëmshme. Por një ngjarje që tregon me gisht portretin e autokratit të Tiranës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb