Rasti i abuzimit seksual ndaj një 13-vjeçareje amerikano-shqiptare në Shkodër vazhdon të hetohet nga autoritetet, ndërsa Policia njoftoi ndalimin e dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në ngjarje. E mitura ishte larguar nga banesa sipas kallëzimit të familjarëve dhe u gjet pas disa ditësh kërkimesh në Tiranë.
Hetimet për gjetjen e saj u ndërmorën nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Në operacion morën pjesë edhe strukturat e sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ofruan asistencë gjatë kërkimeve. Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë.
Në kuadër të hetimeve, shërbimet e DVP Tiranë ndaluan shtetasin A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa DVP Fier ndaloi shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fier. Gjykata caktoi për të dy masën e sigurimit personal “Arrest në burg”. Personat e ndaluar dyshohen për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara respektivisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.
Policia njofton se hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës me synimin e identifikimit dhe kapjes së personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje. Operacioni u zhvillua në koordinim mes strukturave policore të tre qyteteve dhe me mbështetje nga institucionet e tjera të sigurisë, sipas njoftimit zyrtar.
Lënda është në vijim, ndërkohë që organet e hetimit fokusohet në sqarimin e rrethanave të shpërndarjes së përgjegjësive penale dhe evidentimin e elementeve të trafikut të të miturave dhe abuzimit seksual, si dhe në bashkërendimin e veprimeve për kapjen e personave të tjerë të dyshuar.
