Bota

BE dhe NATO në alarm nga kërcënimi rus, Rutte paralajmëron: Ata po na testojnë, nëse nuk reagojmë do të rrisin presionin

Shqetësimi për kërcënimin rus ndaj sigurisë së Evropës po rritet, ndërsa Bashkimi Evropian dhe NATO po shqyrtojnë mundësi të reja reagimi përballë provokimeve ushtarake dhe sulmeve hibride të Moskës.

Shkeljet e hapësirës ajrore, sabotimet, sulmet kibernetike dhe dyshimet për operacione të shërbimeve ruse të inteligjencës kanë shtuar presionin ndaj vendeve evropiane për një përgjigje më të koordinuar.

Dy takime të zhvilluara në Bruksel kanë treguar ndryshimin e klimës së sigurisë në Evropë. Në Këshillin e Atlantikut të Veriut u diskutua kërkesa e Polonisë për forcimin e mbrojtjes ajrore, pas shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga raketat ruse. Ndërkohë, përfaqësuesit e përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së u informuan nga Danimarka për një komplot të dyshuar për vrasjen e një reperi ukrainas-amerikan, që sipas autoriteteve daneze i atribuohet shërbimeve ruse të inteligjencës.

Megjithëse në takimin e NATO-s nuk u morën vendime konkrete për dërgimin e mjeteve shtesë të mbrojtjes ajrore në Poloni, një burim i Aleancës i tha DW se rëndësi të veçantë kishte fakti që incidentet e veçanta po trajtohen tashmë në kuadër të një strategjie më të gjerë për përshkallëzimin e agresionit rus.

“Ata po na testojnë”, rritet presioni për reagim të përbashkët

Një burim diplomatik evropian paralajmëroi se Moska po teston vazhdimisht reagimin e vendeve perëndimore dhe se mungesa e një përgjigjeje mund ta inkurajojë të shtojë presionin.

“Ata po na testojnë. Nëse nuk bëjmë asgjë, ata do të rrisin presionin”, paralajmëroi burimi diplomatik për DW.

Në këtë klimë, Danimarka ka kërkuar pezullimin e lëshimit të vizave turistike për qytetarët rusë, si dhe kufizimin e vlefshmërisë së vizave të tjera vetëm për shtetin që i lëshon ato. Megjithatë, propozimi përballet ende me rezistencë nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Rutte: Çdo incident i ri duhet të sjellë më shumë mbështetje për Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore polake si një incident “absolutisht të papranueshëm”, duke theksuar se Aleanca po vlerëson vazhdimisht masat e saj të mbrojtjes dhe parandalimit.

Gjatë një qëndrimi në Berlin, ku mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Rutte foli edhe për shtimin e sulmeve hibride në Evropë. Ai nënvizoi se Aleanca disponon mundësi reagimi që nuk janë gjithmonë të dukshme për publikun dhe paralajmëroi Moskën se provokimet e reja nuk do ta dobësojnë mbështetjen perëndimore për Kievin.

“Çdo incident i ri në Evropë duhet të sjellë më shumë, jo më pak, mbështetje për Ukrainën”, ishte mesazhi i tij.

Rutte renditi një sërë kërcënimesh me të cilat po përballen vendet evropiane, përfshirë zjarrvëniet e qëllimshme, sabotimet në rrjetet hekurudhore, sulmet ndaj anijeve tregtare dhe sulmet e vazhdueshme kibernetike.

“Ne të gjithë jemi shënjestra, të gjithë jemi të prekur”, deklaroi ai, duke theksuar se përballja me këto kërcënime kërkon angazhimin jo vetëm të qeverive, por edhe të bizneseve dhe qytetarëve.

BE përgatit paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë

Paralelisht me diskutimet në NATO, Bashkimi Evropian po përgatit masa të reja ndëshkuese ndaj Moskës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lidhi përshkallëzimin e operacioneve hibride ruse me propozimin për ndalimin e hyrjes në territorin e BE-së të ish-luftëtarëve rusë.

Masa është pjesë e paketës së 22-të të sanksioneve, e cila përfshin gjithashtu kufizime më të ashpra në sektorin e energjisë, transportin detar dhe transaksionet financiare.

Konsultimet mes vendeve anëtare do të vijojnë në prag të samitit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian, që pritet të mbahet këtë javë në Bruksel.

Zhvillimet e fundit tregojnë se siguria evropiane po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje e përbashkët për BE-në dhe NATO-n, ndërsa vendet perëndimore po përpiqen të koordinojnë përgjigjen ndaj asaj që e konsiderojnë një rritje të kërcënimeve nga Rusia.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.