Lajmi i fundit

LIVE/ PD zhvillon foltoten e 'Ripërtëritjes' në Durrës

Gashi: Rama i mori qytetit Portin, Durrësi po humbet identitetin! PD drejt ripërtëritjes për 2027-ën

Gashi: Rama i mori qytetit Portin, Durrësi po humbet identitetin! PD drejt ripërtëritjes për 2027-ën

18:35, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, Adrian Gashi, gjatë Foltores së Ripërtëritjes, ku ishte i pranishëm edhe lideri i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama se i ka marrë Durrësit Portin, duke i shkaktuar qytetit humbjen e një prej motorëve kryesorë të ekonomisë dhe duke cenuar identitetin e tij.

Gashi ngriti shqetësimet për problematikat e turizmit, përmbytjet, mbetjet urbane, infrastrukturën dhe mungesën e transparencës, ndërsa u ndal edhe te projekti TID, duke mbështetur banorët në mbrojtje të pronave dhe trashëgimisë historike.

Ai theksoi se demokratët e Durrësit janë pjesë e 170 ditëve të protestës qytetare kundër qeverisë, ndërsa bëri thirrje për bashkimin e demokratëve, afrimin e të rinjve dhe forcimin e strukturave të PD-së.

Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2027, Gashi vuri në dukje se ripërtëritja e Partisë Demokratike duhet të nisë me rikthimin e besimit dhe një organizim të fortë, pranë qytetarëve.

Fjala e tij:

Mirëmbrëma të gjithëve. I nderuar profesor doktor Sali Berisha, lideri historik i Partisë Demokratike, të nderuar deputetë, të nderuar të ftuar, të dashur themelues, anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike, të rinj dhe të reja, të nderuar qytetarë të Durrësit. Mirë se keni ardhur në foltoren e ripërtëritjes. Doktor Berisha, ju uroj mirëseardhjen në qytetin e Durrësit, në këtë qytet të lashtë me histori dhe tradita të mëdha, ku liria, pluralizmi dhe dinjiteti qytetar kanë qenë gjithmonë vlera të rëndësishme. Sot nuk jemi mbledhur thjesht për një aktivitet politik. Jemi këtu për të reflektuar, për të bashkuar energjitë dhe për të folur për të ardhmen e Partisë Demokratike. Dua ta nis këtë fjalim me një falënderim të veçantë për themeluesit dhe qëndrestarët e Partisë Demokratike.

Të dashur miq, ju jeni njerëzit që hodhët themelet e kësaj partie. Ju besuat te demokracia kur ishte ende një ëndërr e largët për shqiptarët. Keni kaluar fitore, humbje, vështirësi dhe zhgënjime, por shumë prej jush kanë qëndruar pranë kësaj familjeje politike në çdo kohë. Ne nuk duhet të harrojmë këta njerëz që ndërtuan këtë parti. Kontributi juaj nuk matet me funksione apo tituj, por me vitet, sakrificat dhe besimin që i kushtuat kësaj partie. Historia është ndërtuar nga njerëz si ju dhe e ardhmja jonë duhet të ndërtohet duke respektuar këtë trashëgimi. Sot dua t’ju tell nga zemra faleminderit të gjithëve. Të dashur demokratë, nuk mund të flasim për të ardhmen e Partisë Demokratike pa folur për qytetin tonë dhe problemet e këtij qyteti. Sot Durrësi ka humbur identitetin e tij.

Shqipëria ka humbur motorin kryesor të ekonomisë saj, Portin e Durrësit. Porti i cili në mënyrë miqësore iu mor Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Kemi ngritur vazhdimisht shqetësime për turizmin, mbetjet urbane, kanalizimet, përmbytjet, infrastrukturën rrugore, hapësirat publike, tarifat e parkimeve dhe mungesën e transparencës në administrimin e shërbimeve vendore. Një çështje e veçantë mbetet edhe projekti TID Durrës, ku kemi mbështetur banorët që mbrojnë pronën e tyre, trashëgiminë historike dhe të drejtën për t’u dëgjuar. Pas çdo problemi nuk qëndron thjesht një statistikë, qëndrojnë familje që përballen me vështirësi, biznese që humbasin të ardhurat dhe qytetarë që kërkojnë një jetë më të mirë. Ne besojmë se zhvillimi i qytetit duhet të bëhet me transparencë, konsultim publik dhe respekt për qytetarët. Një qytet me një potencial kaq të madh turistik, ekonomik dhe historik meriton shumë më shumë të mira, sepse Durrësi nuk janë vetëm ndërtesat apo projektet, Durrësi janë qytetarët e saj.

Të nderuar pjesëmarrës, prej 170 ditësh protesta qytetare ka ngritur zërin për largimin e kësaj qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar. Prej më shumë se gjithë kësaj kohe, edhe demokratët e Durrësit kanë qenë pjesë e kësaj qëndrese, duke mbështetur të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar llogari. Po kështu, një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtojmë të rinjve, të cilët kërkojnë mundësi përfaqësimi dhe të ardhme në vendin e tyre. Ne duhet t’i dëgjojmë ata dhe t’u krijojmë hapësira reale për të kontribuar. Të dashur demokratë, dua të ndalem tek mesazhi kryesor i ditës së sotme: ripërtëritja e Partisë Demokratike. Ripërtëritja nuk është thjesht një ndryshim strukturash apo emrash, ajo fillon me njerëzit, me rikthimin e besimit dhe dëshirën për të qenë përsëri bashkë.

Ne kemi nevojë për përvojën e themeluesve, për energjitë e të rinjve, kontributin e grave, idetë e profesionistëve dhe angazhimin e çdo demokrati që beson në këtë parti. Në Durrës kemi punuar për forcimin e komunikimit me strukturat, për evidentimin e problematikave të qytetit dhe përfaqësimin e shqetësimeve qytetare. Kemi akoma shumë punë për të bërë, duhet të forcojmë seksionet, grup-seksionet, të rikthejmë komunikimin me anëtarësinë dhe të krijojmë një organizim ku secili të ndihet i vlerësuar dhe i dobishëm. Duam që çdo demokrat të ndjejë se ka vend në këtë parti. Duam që ata që kanë qëndruar në ditët më të vështira të mos ndihen të harruar dhe të afrohen ata që duan të kontribuojnë përsëri sot. Ne nuk duhet të harrojmë ata që ndërtuan këtë parti, por duhet të krijojmë hapësirë për ata që do ta çojnë përpara këtë parti. Kjo është përgjegjësia jonë, sidomos sot që jemi përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027.

Na duhet një parti më e organizuar, më pranë qytetarëve dhe më e besueshme. Një parti që nuk krijohet për njerëzit vetëm në fushata zgjedhore, një parti që është pranë qytetarëve çdo ditë. Prania e doktor Berishës sot në Durrës është një mundësi për të diskutuar mbi rrugën që kemi përpara, mbi punën e bërë dhe mbi përgjegjësitë që kemi për të ardhmen e Partisë Demokratike. Dua ta mbyll me një mesazh: Partia Demokratike nuk është thjesht një parti politike, ajo është historia e njerëzve që besuan te liria, sakrifica e atyre që qëndruan dhe shpresa e brezave që do vijnë. Le të mos lejojmë që vështirësitë të na largojnë nga njëri-tjetri, le të kemi kurajon të reflektojmë, forcën të bashkohemi dhe vullnetin për të ecur përpara, sepse ripërtëritja fillon me secilin prej nesh. Rroftë Partia Demokratike, rroftë Durrësi. Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco