Adriatik Lapaj, në një intervistë për “News24”, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te përplasjet brenda Partisë Socialiste, të cilat i ka krahasuar me konfliktet mes bandave kriminale.

Lapaj deklaroi se përplasjet brenda mazhorancës nuk kanë të bëjnë me parime apo standarde politike, por me një luftë për pushtet, ku sipas tij, palët po përpiqen të përcaktojnë se kush do të mbijetojë.

Ai kritikoi gjithashtu klasën politike shqiptare, duke deklaruar se partitë aktuale kanë dështuar ekonomikisht dhe se kjo klasë politike duhet të largohet.

Duke folur për zgjedhjet në Tiranë dhe mundësinë e bashkimit të opozitës, Lapaj tha se nëse drejtuesit opozitarë do të vendosnin interesin publik mbi interesat personale, Partia Socialiste do ta kishte humbur Bashkinë e Tiranës.

Kreu i Shqipëria Bëhet ritheksoi se nuk sheh mundësi bashkëpunimi me Sali Berishën, ndërsa propozoi një formulë për përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët të pavarur për kryeqytetin, përmes sondazheve ku do të përfshiheshin kandidatët e propozuar nga partitë e reja dhe qytetarët.

Lapaj theksoi se në këtë proces mund të përfshihej edhe Florian Binaj, duke nënvizuar se nuk duhet të vendosen kushte për emrat, por të pranohet kandidati që do të merrte mbështetjen më të madhe.

“Partitë aktuale kanë dështuar ekonomikisht. Kjo klasë politike ka dështuar dhe duhet të largohet. Bandat kur kanë konflikte dhe ndahen kanë vetëm një rrugë, njëra pjesë e bandës shkatërron pjesën tjetër. Pra kush është më e forta. Nuk ka më rregulla një standard. Këtu kemi një luftë mes bandës dhe të shohim kush do mbijetojë. Nëse liderishipi i opozitës duke përfshirë dhe veten , të gjithë drejtuesit vendosin interesin publik përpara llogarive të vogla apo përpara modelit KÇK, sot PS e ka të humbur bashkinë e Tiranës. Nëse lidershipi opozitës vendos egot, e kam për të gjithë , atëherë të mbajnë secili përgjegjësinë e vet. Unë si Adriatik në datën 10 maj nuk ndjej se do kem përgjegjësi sepse , kam shtrirë dorën e bashkëpunimit duke kërkuar një bashkim të gjithëve në një kandidat të pavarur për t’ja hequr kryeqytetin PS. Ne themi partitë e reja, dhe qytetarët në shesh të propozojnë nga një kandidat në çdo bashki të vendit. Të kontraktojmë një kompani sondazhesh, dhe kandidati më i votuar në sondazh të jetë kandidat që mbështetet nga të gjithë. Kjo është formula e drejtë. Dhe për secilën bashkiak secili të garojë mënjanë. Ne nuk mund të bëjmë dot koalicion me Sali Berishën, është e shkuara. Ne në funksion të kësaj republike të këtij vendi kemi bërë një hap pas, sakrificë të madhe dhe kemi thënë  për Tiranën që është kalaja kryesore, dakordësojmë një kandidat të mesëm për të gjitha palët. Nëse procesi nxjerr një kandidat të pavarur që të gjithë palët e pranojnë, mund të jetë dhe zoti Binaj pjesë e këtij procesi, ne nuk mund të vendosim kushte emrash. Ne themi që jemi te vendimi i parë, vendimi i parë ka qenë zoti Florian Binaj, çfarë ti themi që këta ndërruan mendje”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb