Lajmi i fundit

LIVE/ PD zhvillon foltoten e 'Ripërtëritjes' në Durrës

‘Shqipëria ka nevojë për rotacion politik’/ Ester Hoxha: Të qëndrojmë dhe të ngrihemi për të rrëzuar regjimin!

18:51, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD Durrës, Ester Hoxha, ka mbajtur një fjalim të fortë në Foltoren e Ripërtëritjes në Durrës, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Hoxha denoncoi atë që e cilësoi si grabitje të aseteve të qytetit dhe shkatërrim të historisë, traditës e trashëgimisë së Durrësit nga zyrtarët e korruptuar dhe mbrojtësit e tyre politikë.

Ajo deklaroi se nuk e pranon largimin nga vendi si alternativë, duke theksuar se do të qëndrojë dhe do të angazhohet për rrëzimin e qeverisë.

Në fjalën e saj, Hoxha mbrojti figurën dhe qeverisjen e Sali Berishës, hodhi poshtë barazimin mes opozitës dhe pushtetit dhe theksoi se zgjidhja për Shqipërinë është demokracia, zgjedhjet e lira dhe rotacioni politik.

Hoxha: Zyrtarë të korruptuar që sfidojnë qytetarët e dinjitetit. Sot qyteti im, qyteti i historisë dhe trashëgimisë, i ka flijuar asetet në sofrën e banditëve dhe mbrojtësve të tyre politikë. Ata vijojnë e kafshojnë ç'të munden, duke sakatuar historinë, traditën, shkëlqimin që ofronte dikur ky qytet. Unë s'dua të jetoj me dilemën e përgjithshme, të rrish apo të ikësh. Ky vend është i të gjithëve, më së pari i të rinjve. Unë dua të jetoj këtu dhe sikur të më duhet të luftoj e të kasafytem me këtë regjim. Prandaj jam sot këtu në këtë takim të organizuar nga kryetari i opozitës. Do të jem kudo ku kërkohet rrëzimi i këtij regjimi hajdut dhe përmbysja e këtij realiteti absurd. Është absurd realiteti i propagandës sa barazon atë që ka të gjitha pushtetet me atë që nuk ka asgjë. Njëjtëson opozitën që ka vetëm fjalën me pushtetin që ka edhe gurin edhe arrën. I thotë burg si atij që është futur në burg nga ai që ka çelësat e burgjeve si atij që e ka burgosur. Proteston si kundër atij që ka 13 vjet në protestë edhe kundër atij që ka 13 vjet që shtyp protestat e atyre që revoltohen. Analizon njësoj si atë që e ka futur vendin në udhëkryq me atë që kërkon rrugëdaljen politike prej tij. Jo, të barabartë nuk janë. Kush e thotë këtë ka në mendje një gjë e thotë një tjetër. Bën sikur kërkon largimin e Ramës, por punon për përjetësimin e tij në pushtet. Dhe në fund dy fjalë për doktor Berishën. Jam këtu sot se unë nuk do barazoj kurrë uzurpatorin me libertadorin. Siç mundohen të bëjnë disa që paraqiten si të rinj. Kush do t'i krahasojë dy qeveritë dhe të dy kohët, atë të Berishës dhe të Ramës, e ka fare të thjeshtë. Kur të udhëtojë nga Tirana në Elbasan apo nga Miloti në Kukës, të shohë cilësinë e Rrugës së Kombit dhe tunelin e Elbasanit dhe të bëjë një pyetje. Si ka mundësi që rrugët e qeverisë Berisha të bëra para më shumë se 15 vitesh, nuk kanë futur ujë dhe nuk kanë asnjë të çarë edhe pse janë ndërtuar me 1/10 e vlerës. Përgjigja nuk besoj se u nevojitet nga unë. Dilemës që ofrova në fillim të fjalës sime, të rrish apo të ikësh, ne duhet t'i japim vetëm një përgjigje: të rrimë dhe të jemi gati të ngrihemi dhe ta rrëzojmë. Demokracia tashmë e ka mekanizmin se si përmirësohen gjërat: zgjedhje të lira dhe rotacion. Qeveria që nuk bën, nuk mund të shpëtojë nga pyetja karagjoze: 'po iku ky, kush vjen?'. Të vijnë të tjerët dhe nëse këta nuk bëjnë, të tjerët pas tyre. Faleminderit, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco