Alarmojnë agjentët e AI-së: Modelet e reja po bëhen tepër të fuqishme për t'u kontrolluar
Punonjës dhe studiues të kompanive OpenAI dhe Anthropic po paralajmërojnë se modelet e reja të inteligjencës artificiale po bëhen aq të fuqishme, saqë mekanizmat aktualë të sigurisë mund të mos jenë më të mjaftueshëm për t'i kontrolluar ato.
Sipas një raportimi të Axios, i cili citon më shumë se dy duzina burime të njohura me diskutimet e brendshme në këto kompani, shqetësimi kryesor është se aftësitë e modeleve po zhvillohen më shpejt sesa metodat për të garantuar përdorimin e tyre të sigurt.
Disa studiues druajnë se modelet më të avancuara mund të mësojnë të mashtrojnë sistemet e testimit, të fshehin procesin e tyre të arsyetimit dhe të anashkalojnë kufizimet e vendosura nga zhvilluesit, shkruan axios.
Një prej problemeve kryesore lidhet me mënyrën se si trajnohen këto sisteme. Përmes të ashtuquajturit të mësuar përforcues, modelet shpërblehen kur arrijnë rezultate të mira. Megjithatë, studiuesit kanë vërejtur se sistemet më të avancuara mund të mësojnë të manipulojnë testet, në vend që të ndjekin gjithmonë rregullat e përcaktuara.
Një tjetër shqetësim është se inteligjenca artificiale mund të japë shpjegime që duken bindëse, por që nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht procesin e saj të vërtetë të arsyetimit. Kjo e vështirëson identifikimin e sjelljeve potencialisht të rrezikshme nga ana e studiuesve.
Fuqia e modeleve të papublikuara tashmë është vërejtur në fushën e matematikës dhe kërkimeve shkencore. Raportimi përmend raste kur versione kërkimore të Claude dhe modeleve të OpenAI-së kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemeve dhe dëshmive komplekse matematikore.
Përballë këtyre shqetësimeve, brenda kompanive po diskutohet edhe mundësia që modelet më të fuqishme të mos publikohen për përdoruesit e zakonshëm, por të mbeten të kufizuara për përdorim të brendshëm ose për qëllime të caktuara kërkimore.
Një pjesë e studiuesve shkon edhe më tej, duke kërkuar pezullimin e trajnimit të modeleve të reja deri në zhvillimin e mekanizmave më të besueshëm të sigurisë.
Nga ana tjetër, punonjësit kanë shprehur shqetësimin se gara për dominim në industrinë e inteligjencës artificiale mund t'i shtyjë kompanitë t'i japin përparësi fitimit dhe konkurrencës, në vend të sigurisë.
OpenAI ka deklaruar se ka miratuar kërkesa të reja sigurie, të cilat mund të ndikojnë edhe në ritmin e publikimit të modeleve të ardhshme.
Anthropic, ndërkaq, ka theksuar se mbajtja e një modeli brenda kompanisë nuk e bën automatikisht atë të sigurt, duke shtuar se përgjegjësia për sigurinë duhet të fillojë që gjatë procesit të trajnimit.
Debati vjen në një kohë kur kompanitë teknologjike po investojnë miliarda dollarë në zhvillimin e modeleve gjithnjë e më të avancuara, ndërsa paralelisht shtohen pyetjet se deri në çfarë mase njerëzit do të jenë në gjendje t'i kontrollojnë ato. /Telegrafi/




























