Rey Manaj merr vendimin e papritur, largohet nga klubi turk
Rey Manaj ka ndërprerë bashkëpunimin me Sivassporin, pas problemeve financiare që kanë përfshirë klubin turk. Lajmin e ka bërë të ditur vetë sulmuesi shqiptar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shpjeguar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Manaj u rikthye te Sivasspor në fillim të këtij viti, me synimin për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në Superligën turke. Megjithatë, vështirësitë e mëdha financiare të klubit dhe situata e krijuar brenda tij nuk e kanë lejuar realizimin e objektivave të vendosura.
Në mesazhin e tij, sulmuesi ka zbuluar se shkak për ndërprerjen e kontratës janë bërë pagat e papaguara dhe premtimet e pambajtura nga drejtuesit e klubit.
“Pas një periudhe të gjatë durimi, më është dashur të marr një nga vendimet më të vështira të karrierës sime: të ndërpres kontratën time me Sivassporin”, ka shkruar Manaj.
Futbollisti shqiptar ka treguar se gjatë muajve të fundit i kishte dhënë klubit disa mundësi për të përmbushur detyrimet financiare, madje duke i lënë në disa raste një afat prej 15 ditësh për të zgjidhur situatën. Pavarësisht kësaj, pagesat nuk u kryen dhe premtimet e bëra ndaj tij nuk u realizuan.
Manaj e ka cilësuar këtë ndarje si një moment të dhimbshëm, duke theksuar se Sivasspori kishte qenë shtëpia e tij dhe se në fushë kishte dhënë gjithçka për fanellën e skuadrës turke.
Në fund të mesazhit, sulmuesi ka falënderuar tifozët për mbështetjen dhe dashurinë e treguar që nga dita e parë, duke theksuar se, pavarësisht ndarjes, klubi do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.
Largimi nga Sivasspori e lë tashmë Rey Manajn të lirë për të shqyrtuar mundësitë e reja për vazhdimin e karrierës së tij, ndërsa situata financiare e klubit turk vijon të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e skuadrës.




