Goditje për Berishën? Bylykbashki dorëhiqet nga drejtimi i PD-Durrës
Oerd Bylykbashi nuk do të jetë më drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit. Lajmin e bëri të ditur vetë ai gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të “Foltores”, ku zbuloi se vendimin për t’u larguar nga kjo detyrë e kishte marrë një javë më parë.
Në fjalën e tij përpara demokratëve, Bylykbashi falënderoi mbështetësit dhe theksoi se kjo ishte hera e fundit që u drejtohej atyre në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut.
Ai argumentoi se largimi nga funksionet drejtuese është i nevojshëm për t’i hapur rrugë ripërtëritjes së Partisë Demokratike, ndërsa personit që do ta pasojë i uroi sukses në drejtimin e strukturave drejt fitores.
Megjithatë, Bylykbashi bëri të qartë se nuk po largohet nga Partia Demokratike dhe as nga angazhimi politik. Ai tha se do të vijojë të jetë pjesë e betejës politike, por këtë herë pa një funksion drejtues.
“Kush largohet nga beteja është tradhtar, por kush largohet si unë, është aty për të luftuar si ushtar i thjeshtë”, u shpreh Bylykbashi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



