Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 26 nëntor, në seancë plenare për të shqyrtuar dhe votuar projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale. Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa axhenda përfshin 19 çështje për diskutim dhe miratim.
Projektbuxheti i vitit të ardhshëm parashikon shpenzime në vlerën e 976 miliardë lekëve dhe të ardhura prej 907 miliardë lekësh. Në dokument janë planifikuar 202 miliardë lekë për investime publike dhe rreth 24 miliardë lekë për mbështetjen e pensionistëve. Një tjetër element i parashikuar është skema e re e përfitimit financiar për fëmijët deri në moshën 5 vjeç.
Përveç buxhetit, deputetët do të votojnë edhe ndryshimet në pesë ligje tatimore, që prekin tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor. I pari parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, ndërsa i dyti lidhet me dëmshpërblimin e subjekteve që kanë pësuar dëme nga aktet gjatë protestave. Të dyja nismat pritet të kalojnë për shqyrtim parlamentar.
Në axhendë janë përfshirë gjithashtu projektligji për tregjet e kriptoaseteve, rregullat për donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrja e institucioneve financiare dhe kontabiliteti në sektorin publik.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe nismën për ngritjen dhe funksionimin e Liceut Francez të Korçës, si dhe ndryshimet në legjislacionin për kontrollin e punimeve të ndërtimit.
Në fund të seancës janë parashikuar diskutime për përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrative-Territoriale.
Rendi i plotë i ditës së seancës plenare të 26 nëntorit, ora 10:00
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.11.2026.
Njoftime.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të memorandumit të mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”.
Akti normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, ‘Për tubimet’”.
Akti normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.
Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë ‘Liceu Francez i Korçës’”.
Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.
Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.
Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”.
Projektligji “Për kontabilitetin në sektorin publik”.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’, të ndryshuar”.
Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026 ‘Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrative-Territoriale në Republikën e Shqipërisë’”.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.














