Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi këtë të martë tha se ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke e cilësuar këtë si një hap në funksion të përtëritjes dhe zgjerimit të forcave të partisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e PD-së në Durrës, ai deklaroi se dorëzimi i detyrës te kryetari i partisë ishte bërë rreth një javë më parë. Ai tha se pavarësisht ofertave dhe presioneve, demokratët nuk kanë bërë kompromis, duke iu referuar veçanërisht zgjedhjeve të fundit në bashkinë e Durrësit.
“Kjo është hera e fundit që ju flas si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Kam dorëzuar detyrën rreth një javë më parë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë formë mund ta çojmë përpara përtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.
Kemi vetëm një rrugë, rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Në 19 vite kam marrë leksione të jashtëzakonshme nga Berisha; një ndër ta ishte: ‘Qëndro i palëkundur në parime!’. Me këtë jemi përballur gjithë këto vite.
Edhe kur oferta dhe presioni kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë kryeqytet, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe në vend, ne nuk bëmë kompromis dhe dhamë rezultatin që doli. Me këtë devizë ne do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.
