Hetimet e operacionit të koduar “Labirinti”, që një ditë më parë çuan në zbulimin e një laboratori nëntokësor të drogës në Ganjollë dhe arrestimin e 10 personave, janë shtrirë edhe tek punonjësit e OSHEE-së Shkodër. Policia ka vijuar veprimet hetimore, duke referuar në Prokurori materialet për 5 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjatë kontrolleve të zhvilluara një ditë më parë në dy ambiente të nëndheshme në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, policia sekuestroi 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësoi 2.600 bimë narkotike dhe arrestoi 10 shtetas. Sipas hetimeve, këta të fundit dyshohet se ishin rekrutuar si punëtorë nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Mirditën, Tiranën, Cërrikun, Poliçanin dhe Gjirokastrën, për të punuar në laboratorin e drogës.